Sport

Icardi kërkon largimin nga PSG-ja

Sulmuesi Mauro Icardi përfundimisht ka vendosur të largohet nga Paris Saint-Germaini gjatë kësaj vere.

“FootMercato” ka bërë të ditur të martën se Icardi tashmë ka njoftuar drejtuesit e klubit francez për vendimin e tij. Ai po dëshiron që karrierën ta vazhdojë në një ekip ku do të ketë minutazhë më të madhe, në mënyrë që të jetë në formë të mirë për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

29-vjeçari ka kontratë me Parisin deri në vitin 2024 dhe ekipi francez është i gatshëm ta lë të lirë për 20 milionë euro. Interesim të madh kohët e fundit për Icardin ka treguar Borussia Dortmundi që është në kërkim të një sulmuesi për sezonin e ri pas problemeve shëndetësore të Sebastian Hallerit. Icardi është pjesë e Parisit prej vitit 2019.