Sport

Torino, Frankfurti e Rapidi me oferta për talentin e Trepçës ‘89

Ermir Rashica

Një tjetër lojtar i talentuar i Trepçës ’89, karrierën mund ta vazhdojë në futbollin evropian. Bëhet fjalë për 18-vjeçarin Ermir Rashica, i cili është pjesë e ekipit nga Mitrovica tashmë tre vjet. Për sulmuesin e 89-shit, kanë shprehur interesim klube nga katër shtetet e Evropës: Austria, Itali, Gjermania dhe Kroacia.

Interesimet e shumta fillimisht i ka zbuluar kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, kurse të hënën i ka pohuar edhe vetë futbollisti Rashica, i cili ka zbuluar edhe se ka edhe oferta zyrtare për të. Ai ka deklaruar se është shumë i lumtur që klubet e ndryshme evropiane kanë shprehur interesim për shërbimet e tij. Rashica beson që këtë verë do të transferohet në Evropë dhe mezi po pret që të ndodhë një gjë e tillë.

“Jam shumë i kënaqur me interesimet e klubeve evropiane. Janë klube nga Austria, Italia, Gjermania dhe Kroacia. Besoj që në këtë verë unë do të transferohem në ndonjë klub evropian dhe ta realizojë ëndrrën që kam. Ka interesime zyrtare për mua që tashmë kanë ardhur në klubin e Trepçës ’89. Janë shumë klube”, tha Rashica të hënën për KOHËN.

Ndër klube që kanë dërguar oferta zyrtare për Rashicën janë Rapidi i Vjenës, Torino e Spali në Itali dhe Eintracht Frankfurti i Gjermanisë. Interesimi i madh për futbollistin kosovar kanë ardhur pas paraqitjeve të mira që ka pasur me Përfaqësuesen U19 të Kosovës në turneun “Roma Caput Mundi” që është mbajtur në kryeqytetin e Italisë këtë vit. Në këtë turne, të cilin e fituan “Dardanët” e rinj, Rashica ka shkëlqyer. Në total, Kosova kishte shënuar pesë gola, kurse katër prej tyre i kishte realizuar talenti vushtrrias.

“Kam qenë me Kosovën U19 në turneun që është mbajtur në Romë të Italisë. Aty e kemi zënë vendin e parë. Kam luajtur në të gjitha ndeshjet dhe kam shënuar katër gola. Pas paraqitjeve që kam pasur, kam marr ofertë nga Torino dhe nga shumë klube evropiane. Janë oferta zyrtare dhe besoj që shumë shpejt do të realizohet transferimi. Ta veshësh fanellën e Kosovës është ndjenja më e mirë”, tha futbollisti nga Vushtrria.

Rashica është rritur te shkolla e futbollit “El Clasico” nga Vushtrria, kurse ka tre vjet që i është bashkuar skuadrës së Trepçës ’89. Përveç Kosovës U19, ai ka qenë pjesë e grupmoshës U17 të “Dardanëve”. Ermir Rashica është i afër i yllit të Kosovës, Milot Rashicës, i cili është pjesë e Norwich Cityt, ekip që këtë edicion bën gara në Championship (kategoria e dytë) të Anglisë.