Sport

Me Haalandin, City mbetet sërish skuadra për t’u mundur në Angli

Erling Haaland - Manchester City

Nëse bazohemi te lajmet e këqija për Manchester Cityn, atëherë ky do të jetë sezoni i shtatë dhe i fundit i kohës së Pep Guardiolas në klub i mbushur me trofe.

Për ekipet e tjera, do të jetë një lehtësim i madh të shohin largimin e Guardiolas në fund të sezonit 2022/23, një trajner që e ka çuar futbollin anglez në nivele të reja të përsosmërisë në kohën e tij më të gjatë sesa pritej te City. Pas lajmeve të këqija, t’u kthehemi të mirave për Cityn.

City rikthehet për edicionin e ri në Premier League, i cili nis të premten, si kampion në fuqi, ekipi për t’u mundur pasi edhe njëherë u përforcua me njërin prej lojtarëve më të mirë në botë.

Erling Haaland, një sulmues 22-vjeçar, i cili ishte produktiv në Gjermani me Borussia Dortmundin dhe që ka thyer një sërë rekordesh në Ligën e Kampionëve, është blerja e një sezoni të egër të marrëveshjeve të transferimeve në Angli. I madh, i fortë, i shpejtë dhe një finalizues fantastik, Haalandi konsiderohet si një talent brezash dhe forcon një departament të Cityt që ishte i shkurtër.

Në fakt, City u shpall kampion i Anglisë sezonin e shkuar pa një sulmues tipik. Gjithashtu, i ri në skuadër është një nga sulmuesit e rinj më të vlerësuar të Amerikës së Jugut, Julian Álvarez, dhe mesfushori defensiv i Anglisë, Kalvin Phillips, një zëvendësues i ngjashëm për ish-kapitenin e larguar Fernandinhon. Me Cityn që pritet të sjellë edhe një mbrojtës të majtë, Guardiola ka një skuadër të lakmueshme në dispozicion për të nisur garën për titullin e tij të pestë në ligë në shtatë sezone në “Etihad Stadium”, pavarësisht se ekipit i janë larguar Raheem Sterling, Gabriel Jesus e Oleksandr Zinchenko. City tashmë po shijon një nga periudhat më dominuese të suksesit në historinë e futbollit anglez, së bashku me Aston Villan në vitet 1890, Arsenalin në vitet 1930, Liverpoolin në vitet 1970 dhe 1980, si dhe Manchester Unitedin në vitet 1990 dhe fillim të viteve 2000.

I përkrahur në aspektin financiar nga pronarët e pasur nga Abu Dhabi, periudha dominuese e Cityt nuk duket se do të përfundojë së shpejti, veçanërisht kur Guardiola është ende pranë.

“Është viti im i shtatë këtu - nuk e prisja këtë kur mbërrita”, tha ai. “Ky klub, për të ardhmen, i ka standardet. Të gjithë ne duhet të luftojmë për ta mbajtur këtë standard”.

Në të vërtetë, pjesa tjetër e skuadrave nga Premier League nuk ka hequr dorë nga titulli i kampionit për sezonin e ri. Shpenzimet në Angli duket se janë rikthyer në nivelet para pandemisë dhe çdo klub i madh ka bërë lëvizje, me shumicën duke forcuar sulmet e tyre. Përveç Haalandit te City, Liverpooli nënshkroi me sulmuesin uruguaian, Darwin Nunez, nga Benfica për 75 milionë euro; Chelsea mori sulmuesin anglez Sterling nga City për 47.5 milionë; Tottenhami siguroi sulmuesin brazilian, Richarlison, nga Evertoni për 60 milionë; dhe Arsenali firmosi me sulmuesin brazilian Jesus nga City për 55 milionë paund.

Arsenali ka shpenzuar më shumë - rreth 130 milionë euro - ndërsa Leicester City nuk ka shpenzuar asgjë, madje as duke bërë një transferim të vetëm. Problemi për klubet që ndjekin Cityn janë totalet e pikëve që skuadrat e Guardiolës i ka arritur në sezonet që ka fituar titullin: 100 pikë në 2017/18, 98 në 2018/19, 86 në 2020/21 dhe 93 në 2021/22. Vetëm Liverpooli ka qenë në gjendje të jetojë me Cityn dhe është më i miri nga çdo klub për ta bërë këtë përsëri, edhe nëse largimi i Sadio Manes nuk i ka pëlqyer shumë trajnerit Juergen Klopp, pasi senegalezi ishte një komponent vendimtar në suksesin e ekipit vitet e fundit. Shumë mund të varet nga mënyra se si do të vendoset Nunez, zëvendësuesi i Manes. Shpërthimi i tij prej katër golave ​​kundër Leipzigut në parasezon, plus një gol tjetër në fitoren e Community Shield ndaj Cityt të shtunën, sugjerojnë se ai mund të shpërthejë në sezonin e tij të parë në Angli. Chelsea duket se është në një gjendje fluksi në fillimin e epokës post-Roman Abramovich – me pronësinë e re, largimet e emrave të mëdhenj si Romelu Lukaku e Antonio Ruediger, dhe me trajnerin Thomas Tuchel që është i pakënaqur me mentalitetin parasezonal të skuadrës së tij. Kjo është një shans për Arsenalin dhe Tottenhamin e Antonio Contes që të mbyllin diferencën me rivalin e tyre londinez. Arsenali, në veçanti, ka pasur disa rezultate të shkëlqyera parasezonale, si mposhtja e Chelseat 4:0 dhe Sevilla 6:0. Kush e di se si do të jetë Manchester Unitedi, ekip që ka fituar rekord prej 20 titujsh në Angli, me trajnerin Erik ten Hag, i ri në futbollin anglez dhe Cristiano Ronaldon që kërkon të largohet. Mes pyetjeve për të ardhmen e tij, Ronaldo luajti 45 minuta në barazimin 1:1 kundër Rayo Vallecanos në miqësoren në “Old Trafford” të dielën. Në këtë elitë, mund të hyjnë edhe Newcastle Unitedi e Aston Villa.

Newcastle është i mbushur me para nga Arabia Saudite dhe po ndërton në mënyrë metodike, nëse më pak spektakolare siç mund të kishin pritur disa nga një klub me pronarët më të pasur në botë. Villa është në sezonin e parë të plotë nën drejtimin e Steven Gerrardit, i cili ka pasur një fillim mbresëlënës të jetës si trajner, dhe duket se ka bërë transferime të mira këtë verë, veçanërisht me mesfushorin francez të vlerësuar shumë Boubacar Kamaran.

Në secilin nga dy sezonet e fundit, dy nga tre klubet e promovuara janë zbritur menjëherë. Këtë vit, këto klube janë Fulhami, Bournemouthi dhe Nottingham Foresti, një emër historikisht i madh në futbollin anglez, i cili është rikthyer në divizionin e lartë për herë të parë që nga viti 1999. Mund të jetë edhe më e vështirë për klubet e promovuara t’i ruajnë vendet e tyre në Premier Ligën fitimprurëse, ndërsa përpiqen të ndërtojnë skuadra të afta për të qëndruar gjatë sezonit. Kjo për shkak se skuadrat kanë aftësinë për të bërë pesë zëvendësime për një ndeshje nga ky sezon, me Anglinë që bie me vonesë në përputhje me pjesën tjetër të Evropës. Pritet që kjo t’i favorizojë klubet e mëdha me skuadra të thella, si City dhe Liverpool.