Sport

Luftërat në kafaz kanë nisur të organizohen edhe në Kosovë

MMA

Kosova nuk ka asnjë luftëtar profesionist që praktikon Artet Marciale të Përziera (MMA). Nuk e ka as të zhvilluar shumë sportin e luftërave në kafaz. Por, të hënën në Kosovë do të organizohen për herë të dytë luftëra në kafaz. Organizatore e ngjarjes “Kosova Fighting Series” është Federata e Sporteve Mikse Marciale. E organizatorët e mbrëmjes së luftërave në kafaz thonë se synimi është që ta bëjnë të popullarizuar këtë sport edhe në Kosovë. Herën e parë, kjo ngjarje u organizua në Pejë në vitin 2020, ndërsa të hënën mbrëma në Prishtinë. Nis nga ora 20:00. Një prej organizatorëve të kësaj ngjarjeje, Hajdin Alimehaj thotë se spektakli do të jetë i garantuar.

“Kur kemi filluar para 2-3 muajsh, organizimi ka qenë me hapa më të ngadaltë. Para dy vitesh e kemi organizuar në Pejë. Jemi munduar të gjitha detajet t’i plotësojmë për të mos munguar asgjë. Besoj se do të mbahet mend si një prej organizimeve më të mira edhe sa i përket organizimit edhe MMA në Kosovë”, ka thënë Alimehaj.

Ai ka treguar se janë paraparë tetë luftëra MMA, të cilat do të sjellin adrenalinë të madh te shikuesit pasi luftëtarët janë profesionistë. Ata vijnë prej tetë vendeve të ndryshme. Asnjëri prej tyre nuk do të jetë shqiptar.

“Të gjithë luftëtarët janë profesionale dhe do të ketë vetëm luftëra profesionale. Nuk ka asnjë garues amator. Më vjen keq që nuk kemi asnjë luftëtar shqiptar në këtë organizim madhështor, pasi të gjithë që kemi dashur t’i sjellim kanë qenë ose të lënduar ose që nuk kanë arritur të përgatiten me kohë. Janë 16 luftëtar prej 8 vendeve të ndryshme. Janë të gjithë profesional dhe besoj se do të ketë luftëra të hatashme”, është shprehur Alimehaj.

Shumë njerëz e vlerësojnë MMA-në si sport brutal. Madje, ka disa që nuk e vlerësojnë fare si sport. Por, Alimehaj thotë se gjatë mbrëmjes që do të organizohet në Prishtinë, shqiptarët do ta kuptojnë se çka është në të vërtetë MMA.

“Ne njihemi për sporte luftarake. I kemi sukseset më të mëdha dhe MMA është një prej sporteve që po zhvillohet më së shumti dhe vetëm duhet shqiptarët ta kuptojnë se çka është MMA dhe kjo është ideja pse e kemi organizuar dhe do të bëjmë organizime të tjera në të ardhmen”, është shprehur Alimehaj.

Në fakt, ka disa luftëtarë shqiptarë të suksesshëm në luftërat në kafaz, që kanë arritur disa suksese nëpër organizime dhe turne të ndryshëm në Evropë. Synimi është që edhe Kosova të nxjerrë luftëtarë të suksesshëm të këtij sporti luftarak për garat ndërkombëtare. Pas luftërave të MMA, në ambientin ku do të organizohet ngjarja, do të ketë performancë edhe nga Unikkatili. Një biletë do të kushtojë 30 euro, ndërsa për katër persona 110 euro. Organizatorët thonë se interesimi nuk mungon. Presin të ketë më shumë se 5000 shikues në këtë ngjarje, siç e quajnë madhështore.