Sport

Julian Alvarez shpreson t’i ofrojë Cityt “opsione të ndryshme” në sulm

Descriptive Text

Sulmuesi i Manchester Cityt, argjentinasi Julian Alvarez, shpreson të jetë në gjendje t'i ofrojë trajnerit Pep Guardiola “zgjidhje të ndryshme” pasi ishte më efikas se shoku i tij i ri i ekipit, Erling Haaland në humbjen 3:1 të Community Shield ndaj Liverpoolit të dielën. Transferimi me shumë bujë i Cityt prej 67 milionë eurosh nga Borussia Dortmundi, Haaland arriti të ketë vetëm 16 prekje në 90-të minuta kundër Liverpoolit dhe humbi një gol në portën të hapur nga gjashtë metra. Për dallim prej norvegjezit, Alvarez bëri një ndikim të menjëhershëm te kampioni i Anglisë. Argjentinasi 22-vjeçari nënshkroi për Cityn që i pagoi 20 milionë euro River Plates në janar, por u huazua përsëri në klubin argjentinas deri në këtë verë. Alvarez pati vetëm dy prekje të topit në 32 minuta si zëvendësues në pjesën e dytë, por gjithsesi arriti të shënonte gol për të barazuar rezultatin 1:1 ndaj Liverpoolit për një kohë të shkurtër në duelin e luajtur në “King Power Stadium”.

“Natyrisht, jam shumë i lumtur që shënova golin tim të parë me Cityn, por kjo qëndron mënjanë sepse nuk ishte rezultati që donim ta nisnim sezonin. Synimi ishte ta fitonim trofeun”, pranoi Alvarez, i cili luajti si sulmues i krahut të djathë duke e mbështetur Haalandit që ishte në qendër të sulmit.

“Gjithmonë përpiqem të jap maksimumin në stërvitje. Kam treguar se mund të luaj në pozicione të ndryshme në klubet e mia dhe me përfaqësuesen. Unë mund të ofroj alternativa për ekipin me këtë shkathtësi, mund të ofroj zgjidhje të ndryshme dhe dua të jap maksimumin për të ndihmuar ekipin që të ketë suksese në sezonin 2022/23”, insistoi Alvarez.

Ai është më se i bindur se City do të fitojë trofe në sezonin e ri, i cili në Angli nis vikendin e ardhshëm. Alvarezi ka kontratë me ekipin anglez deri në verën e vitit 2027 dhe shpreson që në edicionin e tij të parë te City të ketë minutazhë të mjaftueshme për t’i dëshmuar vlerat e tij. Ai e pranon se konkurrenca në ekip është e fortë, por do të bëjë të pamundurën për ta bindur trajnerin Guardiola se mund ta ndihmojë në arritjen e synimeve të klubit. Atij i vjen keq që në ndeshjen e parë zyrtare me fanellën e Cityt nuk arriti ta fitojë trofeun e parë. Megjithatë, kjo aspak nuk e ka demoralizuar. Ai pranon se City duhet patjetër ta mbrojë titullin e kampionit, por vlerëson se Liverpooli do të jetë një rival i fortë i skuadrës nga “Etihad Stadium”.

“Është e vështirë, padyshim që ne nuk donim të fillonim në këtë mënyrë. Nuk na pëlqen të humbasim. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë. Do të jetë një sezon i mirë për të luftuar për të gjithë trofetë dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë në këtë mënyrë”, shtoi Alvarez.

“Liverpooli ka treguar në vitet e fundit se sa ekip i mirë është. Është një ekip i madh me lojtarë të mëdhenj. Po ashtu, edhe City është skuadër e tillë. Ishte një test i mirë për të filluar sezonin, ne luajtëm mirë dhe luajtëm në një nivel të mirë, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të marrë rezultatet”, shtoi Alavrez që ka edhe nëntë paraqitje me Argjentinën dhe një gol të shënuar.

Skuadra e Cityt mbrojtjen e titullit e nis me ndeshjen që e luan në udhëtim te West Ham Unitedi. Ky duel zhvillohet më datën 7 gusht.a