Sport

Në KOK pranojnë që nuk kishin pritje të mëdha në Festivalin Olimpik

Notarja Hana Bejiqi ishte garuesja e vetme që garoi të premten në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj “Banska Bystrica 2022” në Sllovaki. Në fakt, me paraqitjen e Bejiqit, Kosova i mbylli garat në këtë ngjarje që nisi më 24 korrik në Sllovaki dhe do të përfundojë të shtunën. Bejiqi garoi në disiplinën e 50 metrave krol dhe nuk pati ndonjë rezultat të mirë. E mbylli garën me kohë 28.10 sekonda, duke u renditur e 37-a prej 47 notareve, rezultat që nuk i mjaftoi të kualifikohej në gjysmëfinale të kësaj disipline.

“Notarja jonë, Hana Bejiqi, ka garuar sot në disiplinën e 50 metrave krol në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj “Banska Bystrica 2022”. 13-vjeçarja mbylli garën me kohë 28.10 sekonda, që e renditi në vendin e 37-të nga 47 garuese, që nuk i mjaftoi të kualifikohej në gjysmëfinale. Edhe pse nuk arriti të thyente rekordin personal, bazuar në rezultatet e garuesve tanë të sporteve të tjera, hiq xhudistin Muharrem Hyseni, që doli i nënti, rezultati i Hanës në këtë disiplinë, por edhe në 100 metra krol, ku la pas shtatë garuese, mund të vlerësohet deri diku i suksesshëm”, shkroi KOK-u të premten.

Ditë më parë Bejiqi garoi edhe në 100 metra krol duke përfunduar e 40-ta. Rezultate të ngjashme – jo të mira – sikurse Bejiqi patën edhe garuesit e tjerë që përfaqësuan Kosovën në këtë ngjarje. Kosova në Sllovaki është përfaqësuar me 13 sportistë në shtatë sporte të ndryshme: not, atletikë, xhudo, çiklizëm, badminton, tenis e gjimnastikë artistike. Asnjëri prej sportistëve nuk arriti të futej në zonën e medaljeve, që, sipas Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), do të ishte sukses i madh. Xhudisti Muharrem Hyseni ishte i vetmi që ishte afër zonës së medaljeve. Ai në kategorinë deri 66 kilogramë përfundoi i nënti pasi i arriti dy fitore. Krahas Bejiqit, në garat e notit u paraqit edhe Mal Gashi. Në 400 metra krol, Gashi përfundoi në pozitën e 41-të, ndërsa në 1500 metra nuk garoi fare për shkaqe shëndetësore. Ndërkohë, xhudisti tjetër Muhamedin Veseli (60 kg) u ndal në luftën e parë pas tri vërejtjeve të marra nga gjyqtarët. Më mirë nuk kaluan as tenistët Salidin Rama e Altea Hajrizi. Fillimisht u mposhtën në garën e çifteve miks 2:0, rezultat me të cilin pësuan në raundin e parë në garat individuale. Edhe në badminton Baton Haxhiu e Fijona Mustafa i humbën të gjitha ndeshjet në grupe për t’i dhënë fund garimit qysh në start, përpara se të pësonin 2:0 edhe në çifte në raundin e dytë pasi të parin e kaluan pa lojë.

“Bazuar edhe në paraqitjet e viteve të kaluara si dhe potencialin e sportistëve të shtatë sporteve që kishim në dispozicion, pritshmëritë nuk kane qenë të larta, për çka ne kemi kërkuar nga ta qe ta japin më të mirën nga vetja dhe nëse fitojnë ose hyjnë në zonën e medaljeve do të ishte sukses i madh. Vlen të përmendet paraqitja e xhudistit Muharrem Hyseni, i cili shënoi dy fitore dhe me pak fat ka mundur të hynte në zonën e medaljeve. Sportistëve të tjerë iu mungoi përvoja e garave ndërkombëtare, por edhe cilësia për t'u sfiduar me garues të nivelit të tillë.

“EYOF-at janë niveli më i lartë i garave për të rinj në Evropë dhe gara e vetme për sportet verore në të cilat kemi fituar vetëm një medalje të artë me atletin Muhamet Ramadani në katër pjesëmarrje. Andaj, bazuar edhe në paraqitjet e viteve të kaluara si dhe potencialin e sportistëve të shtatë sporteve që kishim në dispozicion, pritshmëritë nuk kane qenë të larta, për çka ne kemi kërkuar nga ta që ta japin me të mirën nga vetja dhe nëse fitojnë ose hyjnë në zonën e medaljeve do të ishte sukses i madh. Vlen të përmendet paraqitja e xhudistit Muharrem Hyseni, i cili shënoi dy fitore dhe me pak fat ka mundur të hynte në zonën e medaljeve. Sportistëve të tjerë iu mungoi përvoja e garave ndërkombëtare, por edhe cilësia për t'u sfiduar me garues të nivelit të tillë”, ka thënë zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi.

Atletja Vesa Jusufi doli e 19-a në 400 metra vrapim, ndërsa përfundoi e 22-ta në 100 metra. Emine Jonuzi në 200 metra doli e 20-ta. Ndërsa atleti Lorent Mazreku ishte i 14-ti në disiplinën e 1500 metrave. Gjimnastja Vilëza Zeqiri në disiplinat akrobacion dhe kapërcime u rendit në vendin e 61-të. Çiklisti Omer Azemi në disiplinën e garimit rrugor u rendit i 84-ti, kurse në atë me kronometër përfundoi i 90-ti. Për Kosovën, kjo është pjesëmarrja e katërt në këtë ngjarje, ndërsa rezultatet në përgjithësi nuk kanë qenë të mira, më përjashtim të atletit Muhamet Ramadani që para dy vjetësh e fitoi medaljen e artë në hedhjen e gjyles. Kosova më herët ka marrë pjesë në Festivalin Veror Olimpik Evropian për të Rinj “Tbilisi 2015”, “Gyor 2017” dhe “Baku 2019”. Pas Sllovakisë, Kosova do të përgatitet për Festivalin Olimpik të vitit të ardhshëm që mbahet në Maribor të Sllovenisë.

“Si KOK shpresojmë që kjo përvojë do t'u ndihmojë për garat e ardhshme ndërkombëtare e pse jo edhe për EYOF-in e ardhshëm veror (2023), që mbahet në Maribor të Sllovenisë, ku disa prej tyre kanë të drejtë pjesëmarrjeje”, shtoi Krasniqi.