Sport

Laporta shpreson që Messi ta mbyllë karrierën te Barça

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka thënë se shpreson që Lionel Messi do ta mbyllë karrierën me fanellën e ekipit spanjoll, kanë raportuar mediumet spanjolle të premten.

Messi u largua vitin e shkuar nga Barcelona pas 17 vjetësh për t’iu bashkuar Paris Saint-Germanit si lojtar i lirë.

Megjithatë, Laporta është optimist se Messi do të jetë në gjendje të rikthehet në “Camp Nou” para se t’i thotë lamtumirë karrierës aktive.

“Koha e Messit te Barça nuk mbaroi ashtu siç do të donim të gjithë. Unë besoj se Barça ka një borxh moral ndaj Leo Messit. Ne do të donim që fundi i karrierës së tij të vinte me fanellën e Barçës duke u duartrokitur në të gjitha terrenet, kudo që ai shkon. Ishte një fund i përkohshëm i karrierës së tij në Barça, sepse besoj se do ta bëjmë realitet këtë dëshirë”, ka thënë Laporta në një konferencë për shtyp, raporton “Marca”.

Ai po ashtu sqaroi se asgjë nuk është diskutuar me Messin, i cili ka kontratë me Parisin deri në vitin e ardhshëm me opsion edhe për një vit shtesë.