Sport

Omar Abdulrahman, futbollisti më i mirë i Azisë që kurrë nuk luajti në Evropë

Heung-min Son, Takehiro Tomiyasu dhe Serdar Azmoun. Janë këta vetëm disa prej superyjeve të futbollit të Azisë që luajnë me sukses në Evropë. Omar Abdulrahman është një emër që ndoshta duhet të ishte përmendur në të njëjtën frymë nëse gjithçka do të kishte shkuar mirë.

Në fakt, të paktë janë njerëzit jashtë Azisë që kanë njohuri për yllin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Abdulrahman ka qenë ylli ndriçues i futbollit të Emirateve të Bashkuara Arabe për dekadën e fundit, një nga talentet më premtues të futbollit aziatik, i cili madje fitoi një provë te Manchester City. Por, ai gjithashtu është njeriu që shumë e quajnë futbollisti më i mirë aziatik qëkur nuk ka luajtur futboll në nivel klubesh në Evropë. Lojtari më i mirë i Azisë për vitin 2016, tani është 30 vjeç, dhe karriera e tij është dëmtuar nga lëndimet, si dhe mungesa e ekspozimit jashtë Lindjes së Mesme. Lëvizjet e dështuara kanë qenë tema e përgjithshme e karrierës së Abdulrahmanit.

Një numër 10 i guximshëm dhe i aftë me një stil loje të relaksuar, me një sy për një pasim vrasës, Abdulrahman arriti statusin e idhullit midis adhuruesve të futbollit botëror. Megjithatë, ai u bë i njohur edhe për frizurat e tij, që ishin të ngjashme me ato të Carlos Valderramas apo Marouane Fellainit

Në Al-Ain, klubi i tij i fëmijërisë ku kaloi një dekadë deri në vitin 2018, ai shënoi 44 gola dhe asistoi 88 herë në 175 paraqitje. Me fanellën e Al-Ainit, ai gjithashtu fitoi edhe dy tituj kampioni. Disa klube evropiane u përpoqën ta nënshkruanin me të, me Manchester Cityn që ishte shumë afër në vitin 2012, pasi ai bëri përshtypje në Lojërat Olimpike të mbajtura në Londër në vitin 2012. Ai ia doli mirë në sprovën në Manchester, por çështjet e lejes së punës – ai kishte bërë më pak se 10 paraqitje ndërkombëtare për një përfaqësuese të renditur jashtë 50 më të mirave të FIFA-s – e bënë të pamundur transferimin e tij.

Që atëherë lëvizjet e mundshme kanë ardhur dhe kanë shkuar. Ka pasur interesim nga Arsenali, një ofertë huazimi nga Nice dhe një ofertë nga Benfica, por një lëvizje në Evropë nuk u realizua kurrë. Në të vërtetë, me përjashtim të një huazimi prej pesë ndeshjesh te Al-Hilali në Arabinë Saudite – gjatë së cilës ai dëmtoi ligamentin e gjurit – Abdulrahman ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij nëpër klube të Emirateve të Bashkuara Arabe. Përveç qëndrimit të tij të gjatë në Al-Ain, ai gjithashtu pati një përvojë të ndërprerë nga lëndimet në Al Jazira, ndërsa tani është me Shabab Al-Ahli, pasi u transferua si lojtar i lirë në shkurt të këtij viti. Qëndrimi i Abdulrahmanit në Emirate mund të jetë pjesërisht për shkak të pozitës më të vogël të Emirateve të Bashkuara Arabe në futbollin botëror, por edhe të paktën pjesërisht për statusin e tij të famshëm brenda vendit. Për shembull, pasi u emërua lojtari i turneut në Kupën e Gjirit në vitin 2013, atij iu dhurua një veturë Bugatti Veyron. Ai ka qenë fytyra e kompanisë “Nike” dhe video-lojës “Pro Evolution Soccer” në vendlindjen e tij dhe ka fituar paga shumë më të larta se ato që mund të priste në një klub evropian të rangut të mesëm. Nga mesi i të 20-ve, Abdulrahman hezitonte të largohej nga një botë ku ai ishte njeriu kryesor, dhe ata që ishin në krye të futbollit të Emirateve të Bashkuara Arabe ishin të lumtur që kishin pranë fëmijën e tyre të artë. Megjithatë, ai nuk është më i paprekshëm. Ai humbi dy penallti në finalen e Kupës së Gjirit në vitin 2017, përpara se të pësonte dëmtimin e rëndë të gjurit më vonë, duke shkaktuar një zinxhir problemesh të vështira fizike që e kanë pllakosur atë që atëherë. Ai nuk ka luajtur për Emiratet e Bashkuara Arabe që nga nëntori vitit 2019. Në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit 2021, Abdulrahman u lirua nga Al-Jazira pasi humbi të gjithë sezonin për shkak të lëndimit. Nuk flitet më për lëvizjen e madhe drejt Evropës. Shpresat se ai do të ishte pionier nga kombet arabe të Azisë Perëndimore për të goditur klubet më të mëdha në kontinentin fqinj janë shuar.