Sport

Te Ballkani ëndërrojnë fazën e grupeve të Ligës së Konferencës

Pas kalimit në fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Konferencës, te Ballkani kanë pranuar se po mendojnë përtej këtij rundi. Mendjen e kanë të plejofi, saktësisht faza e grupeve të kësaj gare që është e treta për kah niveli në kuadër të UEFA-s. Kampioni i Kosovës avancoi me sukses përtej rundit të dytë.

E eliminoi kampionen e San Marinos, La Fioritan, duke e mposhtur bindshëm në të dy ndeshjet. Në duelin e parë të luajtur javën e shkuar në San Marino, Ballkani triumfoi me shifrat 4:0, kurse në ndeshjen e kthimit, që u zhvillua të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, fitoi me rezultatin 6:0. Në fakt, kjo ishte edhe fitorja më e thellë e një ekipi nga Kosova që paraqitet në garat evropiane prej vitit 2017. Kështu që, në rundin e tretë u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 10:0. E për të arritur në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, Ballkani do të duhet t’i kalojë dy kundërshtarë.

Në rast se e kalon edhe fazën e tretë, atëherë Ballkani do të jetë në plejof përpara fazës së grupeve. Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, të mërkurën për KOHËN, ka thënë se ekipi nga Suhareka ka merituar kalimin në fazën e tretë. Madje, ka shtuar se Ballkani nuk e ka merituar eliminimin e hershëm nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Ballkani u eliminua në rundin e parë nga Zhalgirisi i Lituanisë për ta vazhduar aventurën evropiane në Ligën e Konferencës. Ballkani u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 2:1 nga Zhalgirisi. Barazoi 1:1 në Prishtinë, por u mposht në Lituani 1:0 pas dy vazhdimeve nga 15 minuta. Në fazën e tretë të Ligës së Konferencës, Ballkani do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Sutjeskës së Malit të Zi dhe Klaksvikut të Ishujve Faroe.

“Sigurisht se shpresojmë të luajmë në plejof pasi besojmë se mund ta kalojmë edhe rundin e tretë kualifikues, pavarësisht kundërshtarit që e kemi përballë. Mendoj se kjo skuadër ka cilësi për të arritur rezultat të mirë edhe në Evropë, pasi këtë e dëshmuam edhe ndaj Zhalgirisit, por nuk patëm fat”, ka pranuar Kuç. “Po shkojmë ndeshje pas ndeshjeje derisa të arrijmë aty ku duam edhe pse nuk ka më kundërshtarë të lehtë, sidomos prej kësaj faze. Megjithatë, do të japim gjithçka nga vetja për ta përfaqësuar jo vetëm klubin, por edhe Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Kuç ka pranuar se eliminimi në Champions ishte i vështirë për të gjithë, por thotë se kjo u tejkalua kur mësuan rrugën në Ligën e Konferencës. E në këtë garë thotë se Ballkani ka pasur fat në short, por insiston se e ka merituar një gjë të tillë në edicionin e tij të parë në arenën ndërkombëtare.

“Kemi pasur fat në short, por edhe fatin duhet ta meritosh. Të gjithë e kemi përjetuar rëndë eliminimin nga Zhalgirisi, pasi në dy ndeshjet na mungoi fati për shkak se treguam paraqitje të mira dhe dëshmuam se meritonim të avanconim tutje. Mirëpo, u eliminuam dhe nuk patëm shumë kohë të vuajmë, sepse e patëm parasysh se do të duhet të vazhdojmë tutje për shkak se do të na hapej rruga në Ligën e Konferencës”, ka insistuar Kuç. “Sa i përket fazës së tretë, më shumë do ta preferoja Sutjeskën për shkak se e njoh dhe kam luajtur kundër tyre. Megjithatë, kushdo që të jetë kundërshtari, ne do të jemi të gatshëm dhe do të japim gjithçka nga vetja për të arritur synimin që e kemi”.

Në fakt, Kuç ka thënë se synim më i madh është futja në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Sipas tij, Ballkani ka cilësi për të luajtur në fazën e grupeve. Ai dëshiron që Ballkani të jetë ekipi i parë nga Kosova që do të luajë në një fazë të grupeve të garave evropiane.

“Shpresoj se do të arrijmë në fazën e grupeve. Mendoj se Ballkani si ekip e meriton të luajë në fazën e grupeve, pasi është e sigurt që kemi cilësi. Do të ishte diçka madhështore, pasi do të ishim ekipi i parë nga Kosova që do të luanim në këtë fazë të një prej garave evropiane”, shtoi Kuç.

Edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, ka insistuar se Ballkani ka cilësi për të luajtur në fazën e grupeve. Thaqi bëri tri asistime të martën mbrëma në fitoren 6:0 ndaj La Fioritas, në të cilën sulmuesi Albion Rrahmani realizoi “hat-trick”. Golat e tjerë i realizuan Leonit Abazi dy dhe Ermal Krasniqi një.

“Besoj që kemi aftësi dhe kapacitete për ta kaluar edhe rundin e tretë dhe ta sigurojmë plejofin, që do të ishte një arritje e madhe jo vetëm për Ballkanin, por edhe futbollin kosovar. Ne kemi aftësitë dhe jemi gati të garojmë në grupet e Konferencës së Ligës”, është shprehur Thaqi.

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, në të shkuarën ka luajtur në fazën e grupeve, por të Ligës së Evropës me skuadrën e Skënderbeut nga Korça. Ai ka pranuar se ëndërr e tij, por edhe e ekipit, është faza e grupeve, duke shtuar se do ta ndjekin deri në fund për ta realizuar.

“Sigurisht që ëndërrojmë dhe këtë ëndërr do ta ndjekim sepse pa e ndjekur nuk mund ta realizosh”, ka thënë Daja, i cili sezonin e shkuar e udhëhoqi Ballkanin drejt titullit të parë të Superligës së Kosovës në histori të klubit.

Krahas Ballkanit në Ligën e Konferencës po garon edhe nënkampionia e Kosovës, Drita, që gjithashtu po e kërkon kalimin në rundin e tretë kualifikues. Në duelin e parë të rundit të dytë, Drita luajti pa gola në udhëtim te Antwerpi, ndërsa ndeshja e kthimit zhvillohet të enjten prej orës 20:00 në Prishtinë. Në fazën e parë të Ligës së Konferencës, janë eliminuar Llapi dhe Gjilani. Llapi është eliminuar nga Buduqnosti i Malit të Zi, kurse Gjilani nga Liepaja e Letonisë. Këtë edicion për herë të parë në garat e UEFA-s u paraqitën katër skuadra nga Kosova.