Sport

Kuka kujton të arriturat në Tokio, synon medalje edhe në Paris

Një vit më parë, mijëra qytetarë, zyrtarë të shtetit dhe personalitete të ndryshme në profilet e tyre në Facebook përshkruan emocionet e përjetuara pas medaljeve të arta të fituara në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” nga dy xhudistet, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova. Mburrja ishte e madhe. Arritjen e suksesit në Tokio korrikun e vitit të kaluar e kujton edhe trajneri më i mirë në botë për xhudo, Driton Kuka. Trajneri Kuka brenda pak ditësh bëri dy postime në rrjetet sociale. Me pak fjalë përshkroi rrugëtimin e Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës nga dita e parë deri në arritjen e medaljeve në Tokio.

Disi fitoi medaljen e artë më 24 korrik të vitit të kaluar në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Gjakova më 26 korrik në kategorinë deri 57 kilogramë. Medaljet e fituara nga Disi dhe Nora e çuan në tre numrin e medaljeve të arta nga Lojërat Olimpike. Para tyre në LO “Rio 2016” ishte Majlinda Kelmendi. Kelmendi në gusht do t’i mbushë 6 vjet që prej triumfit në Rio në kategorinë deri 52 kilogramë. Për Kukën muaji korrik i vitit të kaluar dhe gushti i vitit 2016 do të mbesin pjesa më e rëndësishme në punën e tij më shumë se 15-vjeçare me nxënëset e tij. Ai me mburrje thotë se arritja e tri medaljeve të arta olimpike simbolizon kulmin e karrierës.

“Muaji korrik i medaljeve të Tokios dhe gushti i medaljes së Rios më kujtojnë emocionet e papërshkrueshme të medaljeve të arta olimpike. Në këto ditë zakonisht evokoj kohën, mundin, sakrificën deri tek ardhja e këtyre sukseseve. Puna më se 15-vjeçare për secilën prej tyre simbolizon kulmin e karrierës. Gjatë ditës së garës fokusi është në kundërshtar dhe atë ditë nuk është që shijojmë shumë medaljet. Kënaqësitë e momentit janë shpërthim i momentit për fitore”, ka thënë Kuka të martën për KOHËN.

Kuka njihet për punën e madhe që bën me nxënësit e tij. Derisa ekipin e tij e ka liruar një javë në pushim, Kuka vazhdon të punojë për plan-programin për të synuar suksese të tjera të mëdha. Fokusi do të jetë për Paris, ku në vitin 2024 do të mbahen Lojërat Olimpike. Kuka nuk pëlqen të flasë për numrin e medaljeve. Por, ai nuk e fsheh synimin që ka në Paris.
“Është joreale të flasim për numrin e medaljeve që mund t’i fitojmë. Por, shpresoj që të mos kthehemi pa medalje. Kjo është me rëndësi”, ka thënë Kuka.

Xhudistët së fundi ishin të suksesshëm edhe në Lojërat Mesdhetare që u mbajtën në Oran të Algjerisë. Kosova u kthye me gjashtë medalje të fituara nga Algjeria. Pesë medalje i fituan xhudistët. Xhudistët i fituan tri të arta e dy të bronzta, ndërsa një të bronztë e fitoi boksieri Shpejtim Bajoku. Të gjitha ngjarjet shumësportëshe për seniorë, në të cilat ka marrë pjesë Kosova deri më tani, janë vlerësuar të suksesshme falë bilancit të xhudistëve. Pas xhudos janë fshehur shumë dështime të sportistëve të tjerë, por ato kanë kaluar në heshtje.