Sport

Te Ballkani nuk e nënçmojnë kundërshtarin nga San Marino

Descriptive Text

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, dukej mjaft serioz në konferencën për media, një ditë para duelit të kthimit kundër La Fioritas. Seriozitetin e vazhdoi edhe në fushë duke iu dhënë instruksione lojtarëve në stërvitjen që u zhvillua të hënën pasdite në stadiumin “Fadil Vokri”. Kjo do të jetë ndeshja e dytë e rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës mes Ballkanit dhe La Fioritas. Dueli mes Ballkanit e La Fioritas luhet të martën prej orës 20:00 në Prishtinë.

Takimin e parë në San Marino e ka fituar kampioni i Kosovës me rezultatin e thellë 4:0 dhe me një këmbë është në rrethin e tretë. Trajneri Daja insiston se ekipi i tij do t’i qaset ndeshjes me seriozitet maksimal. Ai shtoi se te Ballkani e kanë parasysh se përballë do të ketë ekip ku disa lojtarë bëjnë edhe punë të tjera krahas futbollit.

“Do të jemi në përqendrimin maksimal. Nuk do mendojmë se si ka dalë ndeshja e parë. Me një rezultat të tillë pothuajse kalimi i turit është gati i realizuar, pavarësisht se ne do ta vlerësojmë kundërshtarin maksimalisht. Është një kundërshtar që na ka përballur shorti në raundin e dytë të eliminatorëve të Konferencë Ligë. Ne do ta vlerësojmë për arsye që e dimë se nuk e kanë profesion të parë futbollin. Por që, e njëjta pyetje nuk më është bërë në dy ndeshjet me Zhalgirisin ku ata kishin eksperiencë më të madhe. Siç e vlerësuam Zhalgirisin, ku u eliminuam në kohë shtesë, ashtu do ta vlerësojmë edhe La Fioritan”, ka deklaruar Daja.

“Neve na duhet edhe të kapim ritmin e ndeshjeve, pasi është ndeshja e katërt në garat evropiane këtë vit e po ashtu edhe tri javë nis kampionati dhe duhet ta kapim ritmin”.

Trajneri nga Tirana që u shpall kampion me Ballkanin, zbuloi se është i detyruar që të bëjë dy ndryshime në formacion për ndeshjen e kthimit. Konfirmoi mungesën e mbrojtësit Bajram Jashanica, kurse në bankë do të qëndrojë mesfushori Lindon Emërllahu.

“Ndryshime në formacion nuk besoj që do të ketë përveç mungesave që do të kemi. Dihet që Bajram Jashanica është dëmtuar në ndeshjen e parë dhe nuk do të jetë i gatshëm. Një problem të vogël ka pasur edhe Lindon Emërllahu. Do të thotë që Emërllahu do të jetë në bankinë, kurse Jashanica mungon. Ata do të zëvendësohen nga dy lojtarë me përvojë në futbollin e Kosovës, të cilët kanë ardhur në verë dhe ka pak ndeshje me ne”, theksoi Daja.

Ai theksoi se Ballkani ka pak eksperiencë në garat evropiane, por synon që të shkojë sa më lart. Daja nuk e di nëse do t’i ketë në dispozicion të gjithë lojtarët edhe pas ndeshjes ndaj La Fioritas, pasi për disa futbollistë ka oferta nga klubet evropiane.

Përqendrim maksimal premtoi edhe mesfushori Merition Korenica. Ai shpreson të realizoi edhe në Prishtinë sikurse në San Marino javën e shkuar kur zhbllokoi rezultatin duke shënuar golin e parë.

“Atmosfera është shumë e mirë te Ballkani. Ne po e presim ndeshjen që të paraqitemi sa më mirë edhe pse kemi rezultat të mirë, duhet t’i qasemi ndeshjes me seriozitet dhe të kalojmë raundin për të shkuar sa më lart. Pres që të shënojë, por më e rëndësishme është që të kalojmë tutje. Kushdo që shënon është plus dhe na ndihmon në vazhdimësi. Goli është i mirëseardhur, por le ta kalojmë raundin dhe pastaj golat do të vijnë”, u shpreh Korenica.

Ballkani nga Suhareka po merr pjesë për herë të parë në garat evropiane. Si kampion i Kosovës u paraqit në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. U përballë me Zhalgirisin e Lituanisë dhe u eliminua. Barazoi 1:1 në Prishtinë, por u humbi në ndeshjen e kthimit dhe u mënjanua. Më pas, garat i vazhdoi në Ligën e Konferencës ku është shumë afër kalimit në raundin e tretë. Fituesi i përballjes, Ballkani – La Fiorita në raundin e tretë të Ligës së Konferencë do të luajë ndaj fituesit Sutjeska (Mali i Zi) – Klaksvik (Ishujt Faroe). Ndeshja e parë mes këtyre ekipeve ka përfunduar 0:0.