Sport

Edhe një ngjarje ndërkombëtare e nisur dobët nga sportistët e Kosovës

Dita e parë e Festivalit Veror Olimpik Evropian për të Rinj që po mbahet në qytetin Banska Bistrica të Sllovakisë nuk ishte e mirë për sportistët e Kosovës. Nisi dobët me dy garuesit e sportit të notit, ndërsa u mbyll pa sukses nga sporti i atletikës. Është hera e katërt që Kosova merr pjesë në Festivalin Veror Olimpik Evropian për të Rinj. Në Sllovaki, Kosova përfaqësohet me 13 sportistë të sporteve të ndryshme. Kjo ngjarje për të rinj është dashur të mbahej vitin e kaluar, por u shty për shkak të pandemisë.

“Është ngjarja e katërt, ndërsa këtë herë përfaqësohemi me 13 sportistë. Në Ditën e parë nuk kemi pasur rezultate të mira, ku kanë garuar noti, badmintoni, tenisi dhe atletika. Shpresojmë dhe besojmë që në ditën e dytë, pra nesër të kemi rezultate më të mira”, tha zëdhënësi i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Kushtrim Krasniqi.

Dy notarët, Hana Bejiqi dhe Mal Gashi, nuk e patën kohën e mjaftueshme për të kaluar tutje në disiplinën 100 metra, përkatësisht 400 metra krol. Bejiqi përfundoi e dyta nga tetë garuese në baterinë e saj, me kohë 1 minutë e 1.48 sekonda. Por, ajo garën në 100 metra krol e mbylli e 40-ta, pozitë që nuk i mjaftoi për të kaluar tutje. Tutje nuk kaloi as Gashi në 400 metra krol. Ai zuri vendin e 31-të me kohë prej 4 minutash e 14.61 sekondash. Hana do të garojë edhe në 50 metra krol, ndërsa Mali në 1500 metra. Pa sukses e mbyllën garën e parë edhe tenistët, Altea Hajrizi dhe Saldin Rama. Tenistët e Kosovës pësuan në çifte nga irlandezët Rachel Deegan dhe Eoghan Jennings. Çifti kosovar pësoi humbje 2:0 në sete.

Hajrizi dhe Rama do të garojnë edhe individualisht të martën. Pa fituar asnjë set garën e mbyllën edhe garuesit e sportit të badmintonit.

Fijona Mustafa pësoi disfatë nga Petra Hart me rezultat 2:0. Të dy setet përfunduan 21:2 në të mirë të hungarezes, derisa Baton Haxhiu në setin e parë pësoi 21:6, kurse në të dytin 21:11 nga garuesi i Armenisë, Manvel Harutyunyan.

Atletja Vesa Jusufi ishte e fundit prej grupit të parë të garuesve të Kosovës që po marrin pjesë në këtë ngjarje. Ajo doli e fundit në baterinë e saj në disiplinën 400 metra. Kosova më herët ka marrë pjesë në Festivalin Veror Olimpik Evropian për të Rinj “Tbilisi 2015”, “Gyor 2017” dhe “Baku 2019”.

Vetëm në edicionin e fundit të mbajtur në Azerbajxhan, Kosova u kthye me një medalje. Ishte hedhësi i gjyles, Muhamet Ramadani, që pati fituar medalje të artë.

“Tradicionalisht në EYOF-a veror nuk kemi pasur rezultate për t’u krenuar, hiq medaljen e artë të atletit Muhamet Ramadani në Baku, medalje kjo e vetmja në tri edicione ku kemi marrë pjesë. Nëse fitojmë vetëm një medalje, do të ishte sukses i madh për ekipin tonë përfaqësues”, ka shtuar Krasniqi.

Javë më parë në Lojërat Mesdhetare Kosova u kthye me gjashtë medalje. Pesë prej tyre i fituan xhudistët, ndërsa një medalje fitoi boksieri Shpejtim Bajoku. Sukseset më të mëdha në ngjarjet ndërkombëtare i kanë xhudistët. Në këtë festival xhudoja përfaqësohet me Muhamedin Veselin e Muharrem Hysenin.