Sport

Suedia refuzon të japë informacione për mungesën e Asllanit në gjysmëfinale të Evropianit

Kosovare Asllani ka qenë e rregullt në paraqitjet e saj për media qëkur nisi Kampionati Evropian. Prej të premtes, Asllani nuk është paraqitur për media fare. Asllani luajti gjatë gjithë ndeshjes në fitoren minimale 1:0 kundër Belgjikës të premten në çerekfinalen e Evropianit për futbolliste.

Por, të shtunën nuk u paraqit për media, ndërsa mungoi edhe të dielën në stërvitje. Kështu, kanë raportuar të dielën mediumet në Suedi. Por, mediat suedeze nuk kanë marrë informata për Asllanin as nga kampi suedez. Mungesën e saj në stërvitje nuk e kanë komentuar as gjatë konferencës për media të mbajtur të dielën, dy ditë para gjysmëfinales kundër Anglisë. Suedia luan të martën në Sheffield kundër Anglisë në gjysmëfinale të Evropianit. Situata është e paqartë sa i përket Kosovare Asllanit. Drejtuesit e përfaqësueses suedeze nuk kanë komentuar asgjë.

“Nuk dua të komentoj për situatën e saj. A do të mund të luajë të martën apo jo, nuk guxoj të përgjigjem. Por, shpresoj”, tha zëvendëskapitenja e Suedisë, Magnus Wikman.

Pas ndeshjes kundër Belgjikës nga drejtuesit e përfaqësueses u tha se Asllani është e lodhur dhe për këtë arsye nuk doli para mediave. Përveç Asllanit, në stërvitjen e së dielës nuk u paraqitën edhe Jonna Andersson, Hedvig Lindahl dhe Olivia Schough. Andersson, po ashtu, rezultoi pozitive me koronavirus në fillim të javës. Të dielën është kthyer Emma Kulberg pas shërimit nga koronavirusi. Edhe lojtaret e tjera që u paraqitën para mediave të dielën nuk dhanë asnjë informatë për Kosovare Asllanin. Një gjë e tillë u ishte kërkuar nga stafi i përfaqësueses.

“Kemi marrë porosi për të mos deklaruar asgjë”, thotë Johanna Rytting Kaneryd.

Hedvig Lindahl ndihet e qetë pavarësisht situatës së paqartë rreth Asllanit.

“Nuk jam e shqetësuar”, thotë suedezja.

Menaxheri i përfaqësueses, Fedric Madestam, tha se Asllani nuk është paraqitur për media pas ndeshjes ndaj Belgjikës për shkak të lodhjes. Por, për Asllanin nuk do të ketë informacione as në ditët në vijim, pra deri të martën kur edhe do të luhet ndeshja gjysmëfinale e Evropianit. Është thënë nga kampi i përfaqësueses suedeze për të mos i dhënë informacione kundërshtarit. 32-vjeçarja Asllani, pjesë e Suedisë është që prej vitit 2008. Ka shënuar për Suedinë 44 ndeshje në 164 paraqitje. Ajo pak ditë para fillimit të Evropianit nënshkroi kontratë me Milanin.

Te Milani u transferua nga Real Madridi. Karrierë sulmuesja kosovare ka bërë edhe te Paris Saint-Germaini dhe Manchester City. Ka luajtur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Chicago Red Stars. Në Evropian me Zvicrën mori pjesë edhe futbollistja e talentuar e Kosovës, Riola Xhemaili. Asllani ka një gol e tri asistime në katër ndeshje të luajtura deri më tani në Evropianin që po mbahet në Angli.