Sport

Lekndrejaj “mollë sherri” mes Pejës e Bashkimit

Daniel Lekndrejaj ka njoftuar largimin nga skuadra e Pejës, por ai pritet të jetë pjesë e basketbollit kosovar për sezonin 2022/23. Nëpërmjet njoftimit në Facebook, Lekndrejaj ka shkruar se arsyet e largimit të tij nga Peja kanë të bëjnë me vështirësitë që është përballur në ekipin pejan, pjesë e të cilit ishte përgjatë sezonit të shkuar. Lekndrejaj me Pejën e ka fituar Ligën Unike, kurse sezonin e ri pritet të jetë pjesë e skuadrës së Bashkimit nga Prizreni. Te Bashkimi kanë konfirmuar negociatat e avancuara me Lekndrejajn, por te Peja insistojnë se ai ka kontratë me klubin edhe për sezonin e ri. Megjithatë, Lekndrejaj ka thënë se nuk mund ta penalizojë veten. Ai ka thënë se te Peja është përballur me vonesa të pagave dhe ka pasur trajtim jokorrekt.

“Arsyet që quan në këtë vendim janë të shumta dhe nuk dua që ta ngarkoj askënd me telashet që jam përballur ndër muaj sa isha aty, gjë e cila më penalizoi shpeshherë për faktin se kurseja klubin përkundër vështirësive që u përballa prej kohës kur erdha në vitin 2021. Telashe me pagesa të vonuara dhe trajtim jokorrekt në raste të ndryshme kur edhe mu kërkua të lëshoja apartamentin tim e deri te moskonfirmimi i gatishmërisë ose jo për të vazhduar së bashku te Peja edhe pas verës. Ju konfirmoj me përgjegjësi të plotë se kam refuzuar interesimet e oferta nga klube që vinin në adresën time për faktin se dëshiroja të sqarohen gjërat me Pejën dhe ta dija nëse jam i dëshiruar ende e gatishmëria nuk më ka munguar as edhe një sekondë deri ditë më parë kur mu shua edhe durimi për të pritur për t’i zgjidhur këto çështje me Pejën”, ka shkruar Lekndrejaj.

Lekndrejaj pritet t’i bashkohet Bashkimit. Ai llogaritet lojtar vendor, pasi muaj më parë është pajisur me pasaportë të Kosovës. Karrierë në Kosovë ka bërë edhe te Sigal Prishtina. Te Bashkimi kanë konfirmuar kontaktet me Lekndrejajn.

“Trajneri ynë ka qenë në kontakte të vazhdueshme me Lekndrejajn dhe parimisht është arritur marrëveshja. Sa i përket kontratës me Pejën, besoj se kjo çështje do të zgjidhet. Në kontaktet që ka pasur trajneri me lojtarin ka qenë edhe dëshira e tij që të jetë pjesë e klubit tonë për sezonin e ri. Në bisedimet që ka pasur trajneri i është kumtuar se është basketbollist i lirë dhe ka shprehur dëshirën për t’iu bashkuar skuadrës për edicionin e ri”, tha drejtori gjeneral i Bashkimit, Arlind Kaçaniku.

E për largimin e Lekndrejajt ka reaguar edhe skuadra e Pejës. Klubi pejan ka paralajmëruar skuadrat se duhet të paguajnë dëmshpërblim për t’i siguruar shërbimet e basketbollistit. Peja thotë se për këtë ka njoftuar lojtarin dhe agjentin e tij.

“Klubi njofton se momentin kur me punën tonë të madhe kemi arritur të sigurojmë pasaportën e Kosovës, në kontratë ka qenë e paraparë vazhdimi me të ardhura të reja dhe me mundësi që klubi ta vazhdojë të njëjtën kontratë edhe për një sezon tjetër.

Dhe këtë kontratë e ka përmbushur dhe gjithashtu ka shfrytëzuar të drejtën e saj të vazhdojë kontratën edhe për një sezon. Por, siç duket lojtari në fjalë ka kontaktuar klube të tjera duke nënshkruar kontratë me njërin nga ta, për çka është shkelje e kontratës. Por, Danieli mbetet lojtar i KB Peja dhe kushdo që është i interesuar për shërbimet e tij, duhet të paguajë klauzolën dhe ta transferojë lojtarin”, thuhet në komunikatën e klubit pejan.

Lekndrejaj, sezonin e shkuar te Peja, pati një mesatare prej 9.8 pikëve dhe 9.1 kërcimeve për ndeshje.