Sport

India e vendosur të mos ua lejojë shahistëve të Kosovës paraqitjen me flamur në Olimpiadë

Descriptive Text

Përfaqësuesja e Kosovës në shah mund të marrë pjesë në Olimpiadën e shahut vetëm me flamur të Federatës Ndërkombëtare të Shahut (FIDW), kanë raportuar mediume të ndryshme të Indisë. Ato u janë referuar burimeve brenda Federatës së Shahut të Indisë. Në Federatën e Shahut të Kosovës nuk kanë informata nëse do t’u ndalohet paraqitja me simbolet shtetërore. Thonë se do ta mësojnë në Indi.

Rrugën drejt Indisë do ta marrin një ditë para se të nisë Olimpiada. Kosova ka paraqitur pjesëmarrjen me pesë shahistë e po aq shahiste në Olimpiadën e 44-të të shahut që nis më 28 korrik dhe përfundon më 10 gusht. Sekretari i FSHK-së, Burhan Misini, për KOHËN ka thënë të enjten se nga Federata e Indisë ishin paralajmëruar herën e parë se mund të hasin në problem për pajisje me viza hyrëse.

“Ftesat na kanë dërguar të gjithëve organizatori. Para dy muaj po bëhen, pasi afati ka qenë deri në fund të qershorit. Procedura ka qenë në rregull, por na është thënë nga organizatorët që të mos nisemi pa një miratim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë. Në përgjigjen e parë ishin të prerë për të mos na lejuar me arsyetimin se nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. Ishte kjo e Ambasadës së Indisë në Beograd dhe pas ankesës tonë të bërë në Federatën Ndërkombëtare të Shahut dhe intervenimit të tyre na mundësuan të shkojmë”, ka thënë Misini.

Misini, në fakt, nuk e di nëse do të lejohen të paraqiten me simbole shtetërore. Thotë se nuk kanë marrë ndonjë informacion.

“Ato detaje nuk i kemi. Qëllimi është të hyjmë atje, pastaj kur të shkojmë atje merremi vesh për të tjerat. Nuk kemi asnjë informacion që ne do të kemi sanksione për të mos garuar me simbole shtetërore. Por para se të nisemi do të kemi konsulta me ministri, sepse janë 18 mijë euro bileta në pyetje, të cilat vetëm i kemi blerë. Ne do të bisedojmë me shtetin dhe të shohim se çfarë do të na thonë zyrtarët shtetërorë, se a janë të gatshëm të na rimbursojnë pastaj ato të holla. 18 mijë euro janë dhënë. Do të sillemi sipas vendimeve të Ministrisë. Është një delegacion prej 14 personave. Me viza hyrëse për në Indi do të pajisemi në Stamboll të mërkurën”, është shprehur Misini.

Është hera e parë që India është mikpritëse e Olimpiadës, që do të ketë numër rekord të shteteve pjesëmarrëse. Do të marrin pjesë 343 garues nga 187 shtete të botës.

"Ne jemi të gatshëm të mbështesim procesin, bashkë edhe me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Çështja është statusi jo olimpik i sportit. Fillimisht presim nga federate me na informuar me informatat e pranuara nga organizatori. Do ta mbështesim Federatën dhe do ta ndihmojmë gjatë procesit. Ne besojmë se do të marrim pjesë me të gjitha simbolet tona shtetëtore, dhe asesi nuk do të lejojmë që të garojmë pa qenë të barabartë me të gjitha shtetet tjera", ka thënë sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti për KOHËN.

Probleme me shtetin e Indisë kanë pasur edhe në të kaluarën sportistët e Kosovës. Boksieres më të mirë në Kosovë, Donjeta Sadikut, i ishte mohuar dy herë pajisja me vizë nga shteti indian për paraqitje në Botëror. E gjithë kjo shkaku i qëndrimeve politike nga India. Në FSHK shpresojnë që të zënë vend në mesin e 50 shteteve më të mira.

“Do të ishte sukses nëse hyjmë në top-50 shtetet më të mira. Do të jemi të kompletuar”, është shprehur Misini.

Ekipi i Kosovës përbëhet prej Nderim Saraçit, Endrit Uruçit, Korab Saraçit, Përparim Makollit, Muhamet Asllanit, Ndriqona Saraçit, Rinesa Saraçit, Nita Saraçit, Enesa Sharkut dhe Elma Sharkut. Secili do t’i ketë nga 11 lojë.

“Për mua është kënaqësi të marrë pjesë për herë të parë në Indi në një garë shahu. Synimi është të arrij normën për kryemjeshtër dhe rejtingun 2.500 për ta arritur titullin kryemjeshtër. I kam gjasat, sepse luajnë lojtarët më të mirë të botës ku secili përfaqëson shtetin e vet. Por, sigurisht me pak fat dhe një paraqitje të mirë mund të arrij ta fitoj normën për kryemjeshtër. Nuk do të jetë e lehtë, sepse zakonisht tabela e parë e çdo shteti është lojtari më i mirë i atij shteti, që do të thotë se secila xhiro është një sfidë. Por, unë i dua sfidat dhe më motivojnë shumë”, ka thënë Nderim Saraçi për KOHËN.