Sport

Komuniteti i notarëve ende larg gjetjes së një zgjidhjeje

Kryetari i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv të Kosovës (KAS), Eroll Salihu, ka bindjen se komuniteti i notarëve do ta gjejë një zgjidhje. Ai të mërkurën për KOHËN tha se Federata e Notit e Kosovës (FNK) dhe klubet e pakënaqura duhet t’i lënë inatet personale dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Por, në fakt, gjetja e një zgjidhjeje duket larg. Përfaqësuesi i autorizuar i klubeve të notit, të pakënaqura me udhëheqësit e FNK-së, Bashkim Haxhimusa, i ka cilësuar dezinformata pretendimet e kryetarit të FNK-së, Astrit Haliti, se ua ka hapur dyert për t’u regjistruar në federatë.

Haxhimusa tha të enjten në konferencën për media se është përfaqësues i 16 klubeve të notit. Thirrja e konferencës, sipas tij, është shtyrë nga deklarimet e Halitit të mërkurën në konferencën për media të një grupi të federatave sportive. Grupi i federatave të pakënaqura akuzuan krerët e MKRS-së dhe KOK-ut për ndërhyrjet brutale në punët e brendshme të federatave sportive.

“Pakënaqësitë që na u kanë shpreh në not dhe dezinformatat e FNK-së, na kanë shtyrë që ta thërrasim konferencën që shantazhet të eliminohen përgjithmonë. Po iu mohohet e drejta notarëve më të mirë të jenë pjesë e garave ndërkombëtare. FNK-ja është e suspenduar dhe iu ka marrë licenca, kurse vazhdon aktivitete sportive sikur s’ka ndodhur asgjë. Pasojat po i bartin sportistët kulmorë, familjarët, klubet dhe trajnerët. 75 për qind të notarëve cilësorë gjenden në 16 klubet që i përfaqësoj unë, kurse 25 që i përfaqëson FNK-ja”, ka thënë Haxhimusa.

FNK-ja nuk ka marrë licencë nga MKRS-ja për ta ushtruar veprimtarinë. KAS-i më 24 mars kishte aprovuar një padi të gjashtë klubeve, që e kishin paditur FNK-në. KOK-u ka publikuar vendimin e KAS-it. Klubet Aloha, Delfini, Illyria, Rainca, Niko dhe Hajvalia i ishin drejtuar me padi KAS-it për mosanëtarësimin e tyre nga FNK-ja. Dhe vendimi i këtij organi është pro klubeve. Për mosrespektim të vendimit të KAS-it, KOK-u suspendoi pak kohë më parë FNK-në.

Një prej klubeve që në vitet e fundit ka qenë më e zëshme është STEP. Përfaqësuesi i klubit, Agron Zeqiri, thotë se ankesa e tyre nuk ka rezultuar me efekt të dëshiruar.

“Në vitin 2022 janë eliminuar notarët më të mirë, Mal Gashi e Eda Zeqiri, nga të gjitha garat zyrtare që ka marrë pjesë ekipi i Kosovës. Botërorin në pishinën 25 metra në Abu Dhabi, pastaj atë në Budapest në pishinën 50 metra, si dhe trajtimin jo të duhur me rastin e pjesëmarrjes në Lojërat Mesdhetare ku padrejtësisht kanë marrë pjesë sportistët që nuk ishin meritorë”, ka thënë Zeqiri, duke thënë se FNK-ja ka pranuar që e ka humbur rastin, por që nuk e ka respektuar vendimin e KAS-it.

“Është e vërtetë se FNK-ja është e suspenduar nga KOK-u dhe arsyeja kryesore lidhur me këtë është vendimi i KAS-it, ku pala e paditur nga ana e gjashtë klubeve ka humbur në këtë proces. Përfaqësuesi i federatës ka nënshkruar deklarimin me të cilin ai ka pranuar vendimin final të KAS-it. Federata ka pasur mundësinë ligjore që brenda 30 ditëve të bëjë ankesë dhe nuk e ka shfrytëzuar këtë afat. Në deklarimet publike për çështje të notit, Astrit Halitit i është bashkangjitur edhe një grup i të pakënaqurve si Shasivar Haxhija ose Ismet Rexhepi, të cilët ose kanë mungesë të informatave lidhur me aktivitetet e sportit të notit lidhur me këtë çështje duke sulmuar institucionet sportive”, është shprehur Zeqiri.

Eda Zeqiri dhe Mal Gashi thonë se po u bëhet e padrejtë. Si Zeqiri ashtu edhe Gashi pretendojnë se janë më të mirët në not. Thonë se kanë dëshmi për këtë.

“Momentalisht jam më e mira në Kosovë, por fatkeqësisht nuk jam në mesin e atyre që e përfaqësoj Kosovën në garat e nivelit ndërkombëtar. Unë e kam për detyrë vetëm të stërvitem dhe të jap më të mirën nga vetja, por fatkeqësisht duhet të përballem me sfidat që po i paraqet federata me diskriminime”, ka thënë Zeqiri.

Mungesën e paraqitjes në garat ndërkombëtare thotë se po e ndien edhe Gashi.

“Edhe pse jam notari më i mirë akoma nuk po shkoj dhe nuk jam duke shkuar në garat ndërkombëtare. Nuk e di pse, por kisha dashur ta di përgjigjen”, ka thënë Gashi.

Ka kohë që në sportin e notit ka ndasi. Janë larg të gjejnë një gjuhë të përbashkët.