Sport

Paqarada me fillim të furishëm dhe me përgjegjësi të reja

Leart Paqarada ende nuk është kthyer te Kosova, por në nivel klubesh karriera e tij ka ecuri pozitive. Mbrojtësi i krahut të majtë në hapje të edicionit në Bundesliga 2 e udhëhoqi St. Paulin drejt fitores 3:2 ndaj Nuernbergut.

Në ndeshjen e së shtunës, Paqarada kishte një gol nga penalltia e një asistim. Ai jo vetëm që udhëhoqi me kontribut, por edhe si kapiten i skuadrës në fushë.

Në të vërtetë, St. Pauli me vendim të trajnerit ka dy kapitenë me përgjegjësi të barabarta për edicionin 2022/2023. Pos Paqaradës është edhe australiani Jackson Irvine.

Në ndeshjen e parë të edicionit shiritin e kapitenit e mbajti Paqarada. Dhe paraqitja e tij ishte prej kapiteni.

“Jacksoni dhe unë e kemi diskutuar këtë”, kur është pyetur se cili prej dy kapitenëve, të vlerësuar si të barabartë nga trajneri Timo Schultz, do ta udhëheqin ekipin në fushë nga fillimi.

“Në fakt, nuk ka rëndësi se cili nga ne e mban shiritin e kapitenit në krah. Ne të dy duam të marrim përgjegjësi, me apo pa trakë të kapitenit. Unë kam besimin e trajnerit dhe mundohem ta shpaguaj atë në mënyrën më të mirë me paraqitje. Kam marrë përgjegjësi edicionin e kaluar dhe dua ta bëj këtë edhe tani. Vetëm më shpesh me shirit të kapitenit në krah”, ka theksuar Paqarada për sajtin zyrtar të klubit gjerman.

Paqarada asistoi për 1:0 dhe realizoi penallti për 2:0. Asistoi pikërisht për Jackson Irvine, bashkëkapitenin.

“Është gjithnjë mirë kur e hap edicionin me fitore. Ishte befasi e këndshme se sa mirë funksionuan gjërat në pjesën e parë”, ka shtuar Paqarada. Ai është kritik për mënyrën se si St. Pauli pranoi dy gola në pjesën e dytë.

St. Pauli vjet vetëm në fund nuk ia doli të promovohej në Bundesliga 1. Këtë synim e ka edhe në këtë edicion.

St. Pauli synon pikë edhe në ndeshjen e dytë me Hannoverin. Paqarada sërish pret të marrë përgjegjësi, me apo pa shiritin e kapitenit.

“Këtë herë isha unë kapiten. Në ndeshjen tjetër mund të jetë Jackson. Apo unë sërish”, ka theksuar Paqarada.

I pakënaqur me hapësirën, ai kishte vendosur të largohej nga Kosova në kohën e Bernard Challandesit. Ka shprehur gatishmëri që të kthehet në Përfaqësuese, por nuk ka marrë ende ftesë. Ka raportime që në FFK presin kërkimfalje nga Paqarada për ta kthyer në Përfaqësuese.

Pjesë e St. Paulit tashmë është edhe Betim Fazliji, reprezentuesi i Kosovës. Ai u transferua ditë më parë nga St. Galleni zviceran. Fazliji u aktivizua fare në fund në ndeshjen e së shtunës.