Sport

Çeku për pingpongistët e Kosovës: Serbia bëri shkelje të të gjitha konventave ndërkombëtare të sportit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se kanë njoftuar të gjitha instancat relevante evropiane për bllokadën që Serbia ia bëri ekipit të pingpongut të Kosovës për të marrë pjesë në Evropian U-21 që u mbajt në Beogard.

Përmes një konference për shtyp të shtunën, Çeku ka thënë se Serbia vazhdon të bëjë shkelje destruktive në raport me sportistët kosovarë, pasi po i pengon suksesi në sport i Kosovës.

“Sa më shumë që bën Kosova me ndërkombëtarizimin, dhe me sukses ndërkombëtar në sport, aq më shumë bëhen bllokada nga Serbia. Kemi shkelje destruktive përsëri. Është shkelje e rëndë e të drejtave sportistëve, është shkelje e rëndë e të gjitha konventave ndërkombëtare të sportit. Ne jemi duke njoftuar të instancat relevante evropiane. Organizatat sportive tona do të vazhdojnë me procedime ligjore. Federata e Ping Pongut ka dorëzuar padi në Komisionin Disiplinor të Federatës Evropiane. Jemi në koordinim me Federatën dhe KOK-un që beteja ligjore me Serbinë të vazhdojë në instancat e tjera ndërkombëtare. Ne do të jemi mbështetëse për organizatat tona sportive për t’i adresuar në rrugë ligjore e ndërkombëtare këto shkelje të Serbisë në raport me sportistët tanë. Serbia është shndërruar në recidivist në raport me sportistët tanë. Kjo nuk është hera e parë”, ka thënë Çeku.

Në Beograd prej 6 korrikut e deri të premten u mbajt Kampionati Evropian në pingpong për të rinj. Pjesë e kësaj ngjarje ishin qindra pingpongistë nga vende të ndryshme. Por jo edhe pingpongistët nga Kosova.

Ndonëse Federata e Pingpongut e Kosovës kishte planifikuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje, kjo nuk iu mundësua. FPPK-ja ka insistuar që të marrë pjesë në Evropian vetëm si e barabartë me delegacionet e tjera. Megjithatë kjo nuk ishte bërë e mundur, ndonëse Kosova që prej vitit 2003 është anëtare me të drejta të plota e ETTU-së (Unionit Evropian të Pingpongut).