Sport

UEFA dënon Buduqnostin për fyerjet ndaj shqiptarëve

Konfederata Evropiane e Futbollit nuk ka kaluar në heshtje fyerjet që tifozët e Buduqnostit bën ndaj shqiptarëve në ndeshjen ndaj Llapit, më 7 korrik në Podgoricë.

Buduqnosti i Podgoricës është gjobitur me 20 mijë euro për “sjellje raciste” të tifozëve të tij. Në fakt tifo-grupi “Varvari” kanë shpalosur pano e fotografi fyese e përqeshëse ndaj shqiptarëve. Po ashtu ka pasur thirrje anti-shqiptare, sipas njoftimit të Llapit.

Vendimin e mori të premten Trupi i UEFA-s për Kontroll, Etikë dhe Disiplinë.

“Është vendosur të gjobitet Buduqnosti me 20 mijë euro dhe urdhërohet ky klub të bëj mbylljen e pjesshme të stadiumit gjatë një ndeshjes të UEFA-s, për sjelljen raciste të tifozëve të tij. Buduqnosti do të bëj të ditur për UEFA-n se cilin sektor do ta mbyll, që duhet të përfshijë tribunën veriore dhe të përbëhet nga të paktën 3000 vende”, thuhet në vendim.

Buduqnosti është urdhëruar që të vendosë një baner në ndeshjen e ardhshme evropiane, ku do të shkruaj “#NoToRacism”.

20 mijë euro nuk është gjoba e vetme ndaj Buduqnostit. Për hedhje të gjësendeve në fushë, klubi malazias është dënuar me 10 mijë e 125 euro. Ndërsa për fishekzjarrë, Buduqnosti do të paguaj 5250 euro.

Buduqnosti po ashtu është paralajmëruar për sjellje të pahijshme të ekipit.