Sport

Sokoli: Ndeshjet ndërkombëtare të shfrytëzohen për të treguar se jemi të izoluar

Descriptive Text

Trajneri i futbollit, Bylbyl Sokoli, deklaroi të enjten në Interaktiv të KTV-së, se klubet kosovare duhet t’i shfrytëzojnë ndeshjet ndërkombëtare, që të përçojnë mesazhe drejt Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave.

Sipas Sokolit, shtetet e BE-së i përcjellin me vëmendje ndeshjet ndërkombëtare, duke shtuar se sloganet në stadiumet mund të kenë efekt pozitiv “për të parë se si na kanë izoluar”.

“Futbolli është biznes e kështu duhet trajtuar. Pos anës që është e lidhur ngushtë me prezantimin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Ndoshta sot ka mundur të jetë ndonjë slogan për Evropën për ftesë për viza. Jam i sigurt që edhe në veshje sportive, në xhudo do të ishte mirë që të kishim ndonjë shenjë për të treguar që na mbajnë të izoluar. Duhet t’i shfrytëzojmë këto ndeshje për të treguar se jemi shteti i vetëm i izoluar në Evropë”, deklaroi Sokoli.

Sipas tij, klubit kosovare janë më të përgatitura sesa viteve të kaluara, ndonëse kombinimi mes futbollistëve të rinj dhe atyre me përvojë, nuk është në nivelin e duhur.

“Problemi kryesor është formësimi me futbollistë. Në futbollin tonë fatkeqësisht planifikimet afatgjate nuk janë të menduara, ndryshojnë në saje të ambicies. Shumë shpesh lojtarët hiqen që të sillen lojtarë me përvojë. Nganjëherë ata me përvojë mund të jenë produktivë, nganjëherë më pak, sepse iu bie dëshira”, tha ai.

Sipas trajnerit, futbolli kosovar ka ngritje të cilësisë, mirëpo çështja e stadiumeve mbetet ende për t’u zgjidhur. Ai tha se në 20 vjetët e fundit janë bërë shumë gabime në investime në infrastrukturën sportive.

“Na nevojitet edhe një stadium me kapacitet të ngjashëm me atë të ‘Fadil Vokrrit’.. 2-3 herë është investuar në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, por ka qenë problem mirëmbajtja. Në ndërtim është stadiumi i Gjilanit tash e 15 vjet. Po shpresoj që ai të ndërtohet, por vetëm ky stadium po përdoret”, tha Sokoli.

Sipas tij, në Kosovë stadiumet janë ndërtuar për vota, pa u ditur pronari legjitim.

Për ndeshjen e së enjtes të Llapit ndaj Buduqnostit të Malit të Zi, Sokoli tha se pati tensione.

“Nëse dalim nga konteksti i sportit, sot pati tensione. Jam që ekipet që vijnë si mysafire t’i presim më së miri. Nuk duhet harruar që dallimi mes malazezeve dhe serbëve është që Mali i Zi na ka pranuar. Malazezët kanë qenë kundër pranimit të Kosovës në UEFA. Por ne këtë nuk duhet harruar. Ne në stadium duhet të tregojmë elemente të kulturës tonë. Sigurimi ka qenë në nivel, nuk është shumë i lehtë në këto takime mbarëvajtja”, shtoi ai.

Sokoli tha se liga kosovare është më cilësore sesa ato të Maqedonisë së Veriut e të Shqipërisë.