Sport

E pritshme, KOK-u i vlerëson shumë të suksesshme Lojërat Mesdhetare

Ashtu si pritej, Komiteti Olimpik i Kosovës i ka vlerësuar shumë të suksesshme Lojërat Mesdhetare që kohë më parë përfunduan në Oran të Algjerisë.

Kosova në Lojërat Mesdhetare i fitoi gjashtë medalje, prej tyre pesë nga xhudoja. Xhudistët i fituan tri të arta e dy të bronzta, ndërsa një të bronztë e fitoi boksieri Shpejtim Bajoku.

Ndërkohë pjesa tjetër e ekipit prej 39 sportistëve, me fare pak përjashtime, ka pasur rezultate të zbehta. Shumica prej sportistëve kosovarë janë ndalur në përballjet e para, apo ishin në pozitat e fundit.

Por sërish falë xhudos, e këtë herë edhe boksit, Lojërat Mesdhetare ishin të suksesshme për Kosovën.

Është bordi ekzekutiv i KOK-ut që i ka vlerësuar Lojërat Mesdhetare.

“Pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare ‘Oran 2022’ u vlerësua sukses i madh për ekipin tonë, i cili fitoi gjashtë medalje, tri të arta e tri të bronzta, me sportet e xhudos (pesë) dhe boksit (një)”, thuhet në njoftimin e KOK-ut, pas mbledhjes së bordit ekzekutiv.

KOK-u ka vendosur që fitueset e medaljeve të arta, Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka, të shpërblehen me nga 2000 euro. Ndërsa fituesit e medaljeve të bronzta, Akil Gjakova, Flaka Loxha e Shpejtim Bajoku, shpërblehen me nga 1000 euro. Janë shpërblyer financiarisht edhe trajnerët e këtyre sportistëve.

Të gjitha ngjarjet shumësportëshe për seniorë, në të cilat ka marrë pjesë Kosova deri më tani, janë vlerësuar të suksesshme falë bilancit të xhudistëve. Pas xhudos janë fshehur shumë dështime të sportistëve të tjerë, por ato kanë kaluar në heshtje.