Sport

Llapi, i vendosur ta kalojë Buduqnostin, pret ndihmën e tifozëve

Me fjalim motivues e nisi stërvitjen e së mërkurës mbrëma Tahir Batatina, trajneri i skuadrës së Llapit. I vendosur në mesin e fushës, ai u thoshte lojtarëve se në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nuk bën të mposhten nga askush.

Stadiumin në kryeqytet, Batatina e vlerëson shumë për shkak të emrit që e mban, atë të legjendës së futbollit kosovar.
“Nesër duhet t’i mposhtim ata. Kur sjellim skuadra të mëdha në këtë stadium legjendar, ne jemi mirë, jemi në një tjetër nivel. Prandaj për ta sjellë atë kundërshtar, ne nesër duhet të jemi të bashkuar e të luajmë në mënyrë të përkryer”, u thoshte tekniku llapjan futbollistëve që po e dëgjonin me vëmendje.

Llapi të enjten nga ora 20:00 e pret Buduqnostin e Podgoricës, në ndeshjen kthyese të rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Batatina e di se pa ndihmën e tifozëve, rikthimi i rezultatit mund të jetë shumë më i vështirë.

Në Podgoricë, javën e kaluar, Llapi u mposht 2:0, ndërsa mobilizimi te llapjanët pas atij dueli ka qenë shumë i madh.

Kjo për faktin se Llapi nga tribunat e stadiumit në Podgoricë dëgjoi fyerje ndaj shqiptarëve. Tifozët e Buduqnostit, të njohur si “Varvari”, po ashtu shfaqën pano e fotografi fyese ndaj shqiptarëve.

Llapi e ka shfrytëzuar këtë për mobilizim. Synon ta mbushë stadiumin. Janë ftuar tifo-grupe të ekipeve të tjera, ndërsa biznese e persona të ndryshëm kanë paguar bileta për tifozë, që numri i tyre të jetë sa më i madh.

“Është ndeshje e veçantë. Është ndeshje kthyese. Kemi marrë masat të jemi gati dhe shpresojmë që të bëjmë paraqitje dinjitoze për t’i realizuar objektivat që i kemi në vazhdimësi”, ka theksuar trajneri Batatina në konferencën për shtyp, të mbajtur para stërvitjes.

Batatina tregoi se do të ketë ndryshime në formacion shkaku i mungesave. Qendërmbrojtësi Neto u ndëshkua me karton të kuq ndeshjen e kaluar dhe nuk do të ketë të drejtë loje. I suspenduar për shkak të kartonëve është edhe Benjamin Emini.

“Do të ketë ndryshim sa i përket qasjes së lojës. I dimë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit. Do të ndryshojmë taktikisht brenda skuadrës dhe skemës. Ndeshja e parë duhet të harrohet. Ne e kishim përgatitur ndeshjen ndryshe, por në futboll vijnë gjëra të cilat mund ta ndryshojnë kahun e lojës. Kemi kontingjent të mjaftueshëm të lojtarëve për të luajtur”, shtoi Batatina.

Kapiteni i Llapit, Bujar Idrizi, pret përkrahje të madhe të tifozëve.

“Kemi punuar gjatë gjithë javës për këtë ndeshje, është ndeshje jetike për ne. Shpresojmë që të kalojmë sa më mirë nesër”, tha kapiteni Idrizi.

Idrizi e pranoi se ndeshja e javës së kaluar ishte shumë e vështirë për shkak se nuk kishin shumë informata rreth kundërshtarit. Tani, thotë ai, do të jetë krejtësisht ndryshe.

“Para ndeshjes në javën e kaluar, informatat i kemi marrë nga videoincizimet. Tani e dimë saktë se cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të tyre sepse u ballafaquam me ta. Normalisht se është një rezultat i vështirë për t’u përmbysur, por jo i pamundur. Shpresojmë të jemi të bashkuar e të japim më të mirën e të vazhdojmë tutje”, shtoi Idrizi.

Për Llapin është hera e dytë që merr pjesë në garat e Ligës së Konferencës. Të dyja paraqitjet i siguroi falë triumfit në Kupën e Kosovës.

Edicionin e shkuar u eliminua në rundin e parë të kualifikimeve nga Shkupi.

Në rast se e kalon Buduqnostin, Llapi do të luajë me fituesin e takimit mes Breidablikut të Islandës dhe Santa Colomas së Andorrës.