Sport

Lirim Kastrati, i gatshëm të shpërthejë te Legia

Lirim Kastrati është i gatshëm të shpërthejë këtë edicion te Legia e Varshavës. Sulmuesi i krahut thotë për KOHËN se është shumë i kënaqur me fazën përgatitore dhe mezi pret të nisë kampionati në Poloni. Ai synon që edicioni 2022/2023 të jetë më i miri në karrierën e tij.

Kastrati u transferua te Legia në verën e vitit 2021 nga Dinamo e Zagrebit për 2 milionë euro. Edicioni i kaluar nuk ishte i suksesshëm për këmbëshpejtin.

“Kemi bërë një fazë shumë të mirë përgatitore me skuadër. Kemi qenë dy javë në Austri dhe kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore. Jam shumë i kënaqur se si kanë shkuar përgatitjet e po ashtu edhe me paraqitjet që kam pasur. Unë jam i gatshëm të tregoj cilësitë që kam, këtë sezon. Dua që ky të jetë sezoni më i mirë në karrierën time. Kam punuar për këtë”, u shpreh Kastrati për KOHËN, të mërkurën mbrëma.

23-vjeçari thekson se ardhja e trajnerit te ri i ka dhënë zemër edhe skuadrës. Pohon se loja që aplikon trajneri i përshtatet stilit të tij. Me Legian ai synon të shpallet kampion.

“Ardhja e trajnerit të ri ka ndikuar shumë tek unë. Ai ka sjellë një frymë krejt tjetër. Loja që aplikon trajneri i ri më përshtatet shumë. Është lojë të cilën e kam luajtur edhe te Lokomotiva e Zagrebit, por edhe te Dinamo Zagrebi. Trajneri është shumë i mirë. Ai ka sjellë frymë të re. Atmosfera është shumë e mirë. Synimet janë të mëdha. Legia synon titullin e kampionit dhe unë dua ta ndihmoj që ta arrijë synimin që ka klubi”, shtoi ai.

Kastrati tregon se ka pasur oferta nga disa klube, por Legia ka qenë e vendosur që ta mbajë edhe këtë edicion.

“Kam pasur disa oferta që të largohem dhe kanë qenë oferta serioze. Por, klubi nuk ka dashur që unë të largohem. Në klub duan që unë të jem pjesë e ekipit dhe të jap më të mirën në këtë sezon. Ata më duan dhe unë vendosa të vazhdoj”, deklaroi Kastrati.

Sulmuesi i krahut e pranon se sezoni i kaluar, e që ishte i pari te Legia për të, ka qenë më i keqi në karrierë. Për formën jo të mirë ai fajëson edhe trajnerin që është larguar.

“Sezoni i kaluar te Legia ka qenë më i keqi në karrierën time. Gjërat nuk shkuan ashtu siç ishin planifikuar. Në kampionat mbetëm prapa. Pastaj ndërrimi i trajnerëve e bëri të vetën. Trajneri i fundit që ishte, kishte një antipati ndaj meje. Ai nuk më donte dhe pastaj kishte disa ndeshje që unë nuk luaja. E kam harruar sezonin e kaluar dhe jam i fokusuar 100 për qind në edicionin e ri”, tha futbollisti nga Hogoshti.

Në grumbullimet e fundit, Kastrati nuk ishte pjesë e Kosovës. Ai zbulon se ka pasur ftesë, por nuk ka ardhur shkaku i formës jo të mirë.

“Kam pasur ftesë nga Kosova në grumbullimin e parafundit. Kam biseduar me trajnerin e Kosovës dhe me menaxherin. Nuk kam dashur të vij dhe të luaj, për shkak se unë nuk kisha shumë minuta te skuadra ime. Nuk doja që unë t’ia zija vendin dikujt që ka luajtur. Unë do të punoj shumë këtë sezon dhe kur unë të jem në formën që duhet, sigurisht do ta vij dhe ta ndihmoj Kosovën siç e kam bërë edhe më herët”, u shpreh Kastrati, që ka 17 ndeshje dhe një gol të realizuar me “Dardanët”. Ai ka qenë edhe pjesë e U19 dhe U21 të Kosovës.

Në fund, Kastrati ka folur edhe për jetën private. Sipas tij, vajza që ka do të jetë motiv shtesë për rikthimin e formës.

“Unë jam bërë prind që tre muaj. Kam një vajzë të mrekullueshme. Ardhja në jetë e saj ma ka ndryshuar jetën. Ajo do të jetë motiv shtesë për mua që të kem sezon të suksesshëm. Jeta ime private është vetëm e imja dhe unë jam shumë i lumtur”, përfundoi Kastrati.

Lirim Kastrati u paraqit me Legian e Varshavës në 33 ndeshje në kampionatin e kaluar. Shënoi dy gola dhe bëri tri asistime. Me klubin e madh polak ka kontratë deri në vitin 2025.