Sport

Shkupi, përfaqësuesi i vetëm shqiptar i mbetur në Champions

Descriptive Text

Tri skuadra shqiptare ishin pjesë e rundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve. Vetëm një do të jetë në rundin e dytë kualifikues – Shkupi.

Kampioni i Kosovës, Ballkani, dhe kampionia e Shqipërisë, Tirana, janë ndalur të martën nga Zhalgirisi i Lituanisë, përkatësisht Diddelengu i Luksemburgut.

Lituania dhe Luksemburgu nuk shquhen për ndonjë nivel futbolli. Por kampionët e këtyre dy vendeve këtë herë shfaqën më shumë se kampionët e Kosovës e Shqipërisë.

Ballkani e Tirana barten në Ligën e Konferencës, ndërsa Shkupi, kampioni i Maqedonisë së Veriut, vazhdon në Champions.

Në rundin e dytë kualifikues Shkupi shqiptar takohet me gjigantin kroat, Dinamo Zagreb. Dinamo është favorite absolute, ndërsa Shkupit nuk i jepen edhe më pak shpresa nëse merret për bazë se si kaloi në rundin e parë kualifikues.

Në debutim në Champions, më 5 korrik, Shkupi fitoi në shtëpi ndaj Lincolnit të Gjibraltarit me shifrat 3:0. Shpresat ishin që në Gjibraltar të shënohej tjetër fitore bindëse. Por kampioni i Gjibraltarit të martën pasdite fitoi 2:0. Pra jo mjaftueshëm për ta barazuar rezultatin. Me rezultatin e përgjithshëm 3:2, Shkupi avancoi.

Ndeshjen e parë me Dinamon e luan menjëherë më 19 korrik, në “Maksimirin” e famshëm në Zagreb. Ndërsa ndeshja e kthimit është më 26 korrik në Shkup.

“Jemi në fazën e dytë të kualifikimeve dhe të gjithë e dinë se kush është Dinamo Zagrebi. Është natyrisht ekip i fuqishëm evropian. Do të jetë përballje e vështirë, por nuk frikësohemi aspak. Do të shkojmë në Zagreb për lojë të mirë dhe shpresojmë që të kthehemi me rezultat pozitiv”, ka thënë të mërkurën për KOHËN mbrojtësi i Shkupit, Xhelil Abdullai. Ai javë më parë i është bashkuar Shkupit, ndërsa në Gjibraltar kompletoi ndeshjen në qendër të mbrojtjes.

“Ekipi ynë ka shumë kualitet dhe do të japim më të mirën e mundshme. Besojmë se do të arrijmë në fazën e grupeve, të paktën në Ligën e Konferencës. Ky është qëllimi, faza e grupeve në një garë evropiane”, ka shtuar mbrojtësi 30-vjeçar.

Në Champions, pas fazës së dytë, është faza e tretë kualifikuese, pastaj plejofi e vetëm më pas faza grupore. Pra Shkupit i duhet të kalojë edhe tre kundërshtarë për të arritur në fazë grupore, që vlerësohet pak e mundshme.

Nëse eliminohet nga Dinamo, Shkupi kalon në Ligën e Konferencës, përkatësisht në kualifikime. Dhe në të synon fazën grupore.

“Në të gjithë karrierën time si futbollist apo trajner kjo ishte ndeshja më emocionuese për mua. Edhe pse kishim një avantazh të thellë, e dija se do të ishte e vështirë, duke i pasur parasysh disa gjëra që ndodhën, si problemi me Hamidin, pastaj fusha sintetike e kështu me radhë. Por unë i përgëzoj futbollistët e mi, të cilën treguan karakter dhe trimëri në fushë. Golat sigurisht që erdhën nga gabimet tona. Kundërshtarët e tillë, që të gjithë mendojnë se janë të lehtë, dinë të krijojnë shumë probleme për të gjithë. Sidoqoftë jam i lumtur për fitoren, ne ecim tutje, vazhdojmë të punojmë për të arritur objektivat tona dhe për të paraqitur Shkupin në mënyrën më të mirë”, ka theksuar trajneri i skuadrës shkupjane, Goce Sedloski.

Te Dinamo nuk kanë bërë ndonjë koment për Shkupin. Vetëm e kanë paraqitur si kundërshtar të parë në këtë edicion të Championsit.

“Kundërshtar i Dinamos në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve do të jetë Shkupi 1927. Në rundin e parë kualifikues, kampioni maqedonas, të cilin e drejton ish-lojtari i Dinamos dhe ish-trajneri i ekipit të dytë, Goce Sedloski, ishte më i mirë se ekipi Lincoln nga Gjibraltari me rezultatin e përgjithshëm 3:2. Ndeshja e parë luhet më 19 korrik në ‘Maksimir’ nga ora 21, ndërsa ndeshja e kthimit është planifikuar për 26 korrik në Shkup nga ora 21:00”, ka njoftuar Dinamo.