Sport

15-vjeçari Gashijani nënshkruan me 2 Korrikun

Elvir Gashijani e ka nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale me skuadrën e 2 Korrikut të Prishtinës dhe i është bashkuar klubit në përgatitje me ekipin e parë që nga 4 korriku.

Futbollisti që u lind në Mitrovicë, shkëlqeu me grupmoshën U17 në edicionin që lamë pas, duke e fituar titullin e kampionit. Ai pati paraqitje mbresëlënëse edhe në “International Football Tournamet”, ka shkruar faqja e 2 Korrikut të mërkurën.

Gashijani i është bashkuar 2 Korrikut, klubit që bën gara në rangun e dytë të futbollit të Kosovës në verën e vitit 2020.

“E kam vështirë të gjej fjalë e të flas pas këtij nënshkrimi. Po them kështu sepse për mua kjo është ëndërr e bërë realitet. Krejt vitet që deri tash ia kam kushtuar futbollit, po më shpërblehen. Është vetëm kontrata ime e parë dhe kjo po ndodh ende pa i mbushur 18 vjet. Ky fakt më bën jashtëzakonisht të lumtur, sepse kjo tregon se klubi vërtetë beson shumë në mua, e kjo nuk mund të shpaguhet nga unë në asnjë mënyrë tjetër pos angazhimit dhe tregimit të vlerave të mia si futbollist i ri”, është shprehur Gashijani për faqen zyrtare të klubit.

Me grupmoshën U17 të 2 Korrikut, Gashijani realizoi 15 gola e 10 asistime në 30 ndeshje.

Javë më parë luajti edhe me Kosovën U16 e U17.