Sport

Basketboll, fitore e madhe e Kosovës U20 ndaj Kroacisë

Basketbollistet e përfaqësueses U20 të Kosovës të dielën kanë shënuar fitoren më të madhe deri më tani. Në kuadër të Kampionatit Evropian të Divizionit B që po mbahet në Shkup, Kosova U20 ka fituar ndaj Kroacisë me shifrat 63:60.

Fundorja Astera Tuhina ka shkëlqyer në këtë fitore të rëndësishme për të ardhmen e basketbollit të femrave në vend. Ajo ndeshjen e mbylli me 28 pikë. Kishte edhe tetë kërcime e pesë asistime. Ndërkohë ka organizuar lojën në mënyrë të shkëlqyer dhe ishte e pandalshme për basketbollistet kroate.

Agnesa Rrahmani kontribuoi me 19 pikë, derisa Arbë Hashani shtoi shtatë pikë e tetë kërcime. Kroatet e nisën më mirë ndeshjen dhe çerekun e parë e fituan me shifrat 18:11. Çereku i dytë ishte më i barabartë, ndërsa Kosova u kthye në lojë.

Dhjetëminutëshi i dytë përfundoi 18:18. Vajzat e përzgjedhura nga turku Furkan Saglik u bindën që kanë cilësi për ta mposhtur Kroacinë dhe çerekun e tretë e fituan 15:13. Çereku i katërt ishte dramatik, me Kosovën që doli para në rezultat në minutat e fundit. 1.29 minuta para fundit, kroatet barazuan në 58:58.

Astera Tuhina realizoi për 60:58 kur mbetën 27 sekonda deri në fund. Ajo realizoi edhe një gjuajtje të lirë për 61:58. Kroatet u afruan në 61:60, por Tuhina realizoi edhe dy gjuajtje të lira për 63:60. Gëzimi te basketbollistet e Kosovës ishte i madh pas fundit të ndeshjes.

Kosova U20 të shtunën u mposht 83:69 nga Maqedonia e Veriut. Ndërkohë Kroacia të shtunën ishte mposhtur 79:54 nga Rumania. Të hënën prej orës 14:15, Kosova luan me Malin e Zi. Të martën luan edhe me Rumaninë.