Sport

Drenica zgjedh Shotanin për ta kaluar krizën

Trajneri Bekim Shotani po kthehet për të punuar në Superligën e Kosovës në futboll. Ai tashmë ka arritur marrëveshjen me Drenicën e Skenderajt, që pritet të zyrtarizohet të hënën. Po të hënën Drenica fillon përgatitjet për edicionin e ri të kampionatit të Kosovës. Skuadrat e tjera kanë filluar shumë më herët.

Drenica ende po përballet me telashe financiare e organizative dhe për këtë ishte shtyrë fillimi i përgatitjeve. Por emërimi i trajnerit shkon në drejtim të tejkalimit të situatës.

“Kam arritur marrëveshje me Drenicën dhe të hënën do të nënshkruaj kontratën. Arsyeja pse kam vendosur të marr drejtimin e skuadrës kuqezi është pasi edhe në edicionin 2017/18 kam qenë pjesë e Drenicës dhe kam kaluar jashtëzakonisht mirë. Edhe në atë periudhë klubin e ka drejtuar kryetarja e tanishme Mihane Bekteshi. Drenica është një skuadër jashtëzakonisht e mirë dhe serioze dhe nuk kam hezituar të jem pjesë e këtij projekti për kampionatin e ri”, ka thënë Shotani të dielën për KOHËN.

Ai së fundi ka punuar te Istogu në Ligën e Parë. Më herët ka drejtuar Vushtrrinë, Trepçën ’89, Drenicën, Llapin, Ballkanin.

Kohë më parë nga pozita e trajnerit të Drenicës ka dhënë dorëheqje Tahir Lushtaku. Skuadrën nga Skënderaj e kanë lënë edhe shumë futbollistë. Por Shotani është optimist.

Drenica nuk është larguar asnjëherë nga Superliga e Kosovës në futboll.

“Ka pasur disa largime gjatë këtij afati kalimtar, mirëpo ne do t’i vazhdojmë kontratat me shumicën e lojtarëve, të cilët kanë qenë pjesë e ekipit edicionin e shkuar. Sigurisht që në bashkëpunim me klubin do të synojmë të sjellim edhe disa përforcime për të mbuluar boshllëkun e lënë nga lojtarët e larguar”, ka theksuar Shotani. “Do të tentojmë të sjellim futbollistë kualitativë për të ndërtuar një skuadër të fortë për edicionin e ri. Përgatitjet do t’i fillojmë menjëherë të hënën”.

Drenica kampionatin e kaluar e mbylli në pozitën e gjashtë me 50 pikë. Stabilitetin në elitën e futbollit kosovar e kërkon edhe në edicionin e ri. Madje do ta kërkojë edhe daljen në Evropë.

“Synimet me Drenicën fillimisht janë që të bëjmë një skuadër konkurruese, pasi që dihet që Drenica nga fillimi është pjesë e Superligës dhe nuk është larguar asnjëherë prej saj. Kjo skuadër besoj se e meriton të luajë edhe në garat ndërkombëtare dhe nëse na jepet mundësia besoj se mund të jemi konkurrent në sezonin e ri për të luftuar për një pozitë që siguron pjesëmarrjen në kupat evropiane. Shpresoj që do të jemi një ekip i fortë për edicionin e ri dhe të arrijmë të bëjmë një kampionat të mirë e të suksesshëm”, ka theksuar Shotani.