Sport

Trepçën e pret short i vështirë në FIBA Europe Cup

Pas pak ditësh Trepça do ta mësojë kundërshtarin e parë të saj në skenën evropiane. Skuadra mitrovicase, që pati përkrahje shumë të madhe të tifozëve në edicionin e kaluar të Superligës së Kosovës në basketboll, ka vendosur të debutojë në gara kontinentale, përkatësisht në FIBA Europe Cup.

Trepça garimin e nis prej raundit të parë kualifikues, përkatësisht fazës çerekfinale. Shorti tërhiqet të enjten në Munich.

FIBA Evropa ka përcaktuar katër kundërshtarët e mundshëm të ekipit mitrovicas dhe tashmë është e qartë se Trepçën e pret short i vështirë. SCMU Craiova e Rumanisë, Czarni Slupsk i Polonisë, BC Gottingen i Gjermanisë dhe Aris BSA i Greqisë janë kundërshtarët e mundshëm të Trepçës në çerekfinale të fazës kualifikuese. Ndeshja e parë e Trepçës do të jetë më 27 shtator, ndërsa vendi se ku do të luhen ndeshjet do të përcaktohet pas hedhjes së shortit.

Të gjithë kundërshtarët e mundshëm të Trepçës janë pjesë e ligave nacionale cilësore. Kampionatet e Rumanisë, Polonisë, Gjermanisë e Greqisë janë goxha cilësore. Arisi grek natyrisht është klubi më i njohur prej gjithë kundërshtarëve të mundshëm të Trepçës. Bëhet fjalë për një klub me suksese të mëdha në të kaluarën.

Nëse eventualisht e kalon rivalin në çerekfinale, Trepça ndeshjen gjysmëfinale do të luajë më 28 shtator. Nëse e kalon edhe gjysmëfinalen, më 30 shtator e luan finalen e kualifikimeve. Vetëm nëse e fiton edhe finalen, kualifikohet në stinorin e rregullt ku e presin më shumë ndeshje evropiane.

Trepça është nënkampione e Kosovës në basketboll, ndërsa tashmë ka kompletuar një pjesë të mirë të ekipit për edicionin e ardhshëm. Ka mbajtur Drilon Hajrizin, Amin Hotin, Samir Zekiqin e Valdrin Haxhiun, ndërsa ka angazhuar Erjon Kastratin e Mikaile Tmushiqin prej vendorëve, si dhe dy amerikanët, Jahsim Floyd e Clevon Brown. Pritet që të angazhojë të paktën edhe një fundor amerikan.

Në FIBA Europe Cup do të garojë edhe Sigal Prishtina, që kthehet në gara evropiane pas tre vjetësh. Prishtina prej edicionit 2015/16 e deri në edicionin 2019/2020 ka garuar rregullisht në gara kontinentale. Në Ligën e Kampionëve në tri tentime ka dështuar të kalojë raundin e parë kualifikues. Kështu ka vazhduar garimin në FIBA Europe Cup, nivelin e katërt evropian.

Në edicionin 2018/19, Prishtina kishte kaluar deri në një të tetën e finales. Ndërkohë në edicionin 2019/2020 u ndal në stinorin e rregullt.

Për shkak të përvojës së mëhershme në Evropë, Prishtina është bartëse në short, për dallim nga Trepça. Dhe garën e nis prej fazës gjysmëfinale të kualifikimeve.

Prishtina ka kthyer pas një kohe të gjatë trajnerin Ekrem Memnun. Ndërsa nuk ka njoftuar për ndonjë transferim deri më tani. Prishtina është në vazon e dytë së bashku me skuadra si Antwerp (Belgjikë), Kataja (Finlandë) e Beshiktash (Turqi).

Në vazon e parë janë skuadrat Leiden (Holandë), Sporting (Portugali), Kapfenberg (Austri) e Rilski (Bullgari).

Vazoja e tretë përbëhet nga Hapoel Haifa (Izrael), Cholet (Francë), Kalev/Cramo (Estoni) dhe Petrolina AEK (Qipro). Në vazon e katërt janë kundërshtarët e mundshëm të Trepçës, ndërsa në vazon e pestë janë Jonava e Wolves të Lituanisë, Trepça dhe Jamtlandi i Suedisë. Ndërkohë në vazon e gjashtë janë Cedevita Junior e Kroacisë dhe Thor Thorlakshofn i Islandës.

“Gjithsej 32 klube janë regjistruar për edicionin e këtij viti. Ekipet më të ranguara nga top-dhjetë federatat nacionale nisin garimin prej stinorit të rregullt”, ka njoftuar FIBA.

Bëhet fjalë për ekipe si: Mechelen (Belgjikë), Balkan (Bullgari), Merlinc Crailsheim (Gjermani), Hapoel Galil Elion (Izrael), New Basket Brindisi (Itali), Donar Groningen (Holandë), Anwil (Poloni), Porto (Portugali), CSM Oradea (Rumani) dhe Gaziantep (Turqi).

18 klube do të barten në FIBA Europe Cup nga Liga e Kampionëve. Bëhet fjalë për ekipet e Championsit që nuk avancojnë në stinorin e rregullt.

Kampioni i Kosovës, Golden Eagle Ylli, paraqitet në kualifikime të Championsit. Në çerekfinale përballet me Benfican portugeze. Nëse dështon në kualifikime të Championsit, Ylli pritet të vazhdojë në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.