Sport

Gjashtë skuadra te vajzat e tetë te djemtë në “Kupën Botërore Universitare” në hendboll

Prej të hënës në Prishtinë organizohet Kupa Botërore Universitare në hendboll. Ndonëse organizatorët kanë paralajmëruar pjesëmarrjen e 500 sportistëve e zyrtarëve, si dhe të mbi 20 universiteteve, në këtë garë për studentë do të marrin pjesë vetëm 14 skuadra, duke përfshirë dy nga Kosova.

Gjashtë ekipe universitare janë te vajzat e tetë te djemtë, është bërë e ditur të dielën në faqen zyrtare të Kupës Botërore.

Te vajzat, në Grupin A janë “Palacky University Olomouc” i Çekisë, Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës dhe “Korea National Sport University” i Koresë së Jugut. Ndërsa në Grupin B garojnë “University of Castilla – La Mancha” i Spanjës, “University North” i Kroacisë dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Te djemtë, në Grupin A janë “University of Castilla – La Mancha” i Spanjës, “University of Aveiro” i Portugalisë, Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në Grupin B do të garojnë “University of Montenegro” i Malit të Zi, “Juraj Dobrila University of Pula” i Kroacisë, “Gazi University” i Turqisë dhe “Kangwon National University” i Koresë së Jugut.

Pra ekipet nga Koreja e Jugut janë të vetmet nga kontinentet e tjera për këtë garë hendbolli për studentë.

Ndeshjet e hendbollisteve luhen më palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ndërsa ato të hendbollistëve në palestrën “1 Tetori”. Prej orës 18:00 të hënën është ceremonia hapëse, ndërsa ndeshjet nisin më herët të hënën.

Hendbollistet e Universitetit të Prishtinës luajnë prej orës 16:00 me universitetin që përfaqëson Spanjën. Me universitetin spanjoll luajnë edhe hendbollistët e UP-së. Ata nga ora 19:30 zhvillojnë ndeshjen në palestrën 1 Tetori.

Ekipet universitare të Kosovës do të drejtohen nga përzgjedhësit e përfaqësueseve A të Kosovës, Bujar Qerimi e Agron Shabani, ka njoftuar Federata e Hendbollit e Kosovës. Listat e lojtarëve janë publikuar para një jave, ndërsa në ekipet universitare të Kosovës ka plot reprezentues. Madje disa prej tyre, si te djemtë, ashtu edhe te vajzat, bëjnë karrierë jashtë vendit.

Rrjedhimisht Universiteti i Prishtinës llogaritet pretendent për ta fituar titullin e kampionit në ngjarjen që megjithatë nuk e ka pjesëmarrjen masovike që ishte paralajmëruar nga organizatorët.