Sport

Kante e Loftus-Cheek nuk udhëtojnë për në SHBA

Mesfushorët e Chelseat, N’Golo Kante dhe Ruben Loftus-Cheek do t’i mungojnë klubit në udhëtimin parasezonal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të statusit të tyre të vaksinimit kundër koronavirusit.

“Blutë” udhëtuan në Los Angeles të shtunën për kampin stërvitor.

Por, ata të cilët nuk ishin të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit nuk lejohen të hyjnë në SHBA.

Aktualisht vetëm qytetarët e SHBA-së lejohen të hyjnë brenda vendit, edhe nëse nuk janë të vaksinuar plotësisht.

Chelsea në SHBA do të luajë kundër Club Americas, Charlotte FC dhe rivalit, Arsenalit.

Chelsea, po ashtu, të shtunën njoftoi se Armando Broja, i cili shkëlqeu te Southamptoni në sezonin e fundit, pritet t’i bashkohet skuadrës në javën tjetër.