Sport

Ish-talenti i Bayernit kalon në Superligën e Zvicrës

Meritan Shabani vlerësohej talent me të ardhme te Bayerni. Por, futbollisti kosovar nuk ia doli të depërtonte në ekipin e parë të gjigantit gjerman. Vendosi që karrierën ta vazhdojë në Angli, por as atje nuk “ndezi”. Shabani tani ka bërë hap prapa, me shpresë për ta kthyer karrierën në rrugën e duhur.

Mesfushori ofanziv të shtunën ka firmosur me klubin e Superligës së Zvicrës në futboll, Grasshopper.

Me Grasshopperin, 23-vjeçari ka firmosur për dy vjet, me mundësi të vazhdimit të kontratës edhe për një vit tjetër. Ai është transferuar nga Wolverhamptoni, së bashku me Renat Dadashov.

“Meritan Shabani ka kaluar nëpër ekipet e grupmoshave të reja të Bayernit që nga viti 2006. Mesfushori ofanziv 23-vjeçar ka luajtur mbi 100 ndeshje për ekipet U19 e U23 të kampionatin gjerman, duke shënuar 26 gola dhe duke bërë 19 asistime. Në vitin 2018 ai bëri debutimin në Bundesligë, në fitoren 4:1 ndaj Eintracht Frankfurtit. Së fundi ai ishte nën kontratë me Wolverhampton Wanderers, ku kryesisht u përdor tek ekipi U23”, ka shkruar Grasshopperi në prezantimin e Shabanit.

Talenti i dikurshëm i Bayernit, kontratën në ekipin e Superligës helvetike e ka siguruar përmes provës. Ka ushtruar tri javë te Grasshopperi dhe ishte në gjendje të bindte stafin e trajnerëve me cilësitë që ka.

Shabani ka luajtur për U20 të Gjermanisë, ndërsa ishte përfolur si kandidat për përfaqësuesen e Kosovës. Në gusht të vitit 2019 ai kishte kaluar te skuadra angleze për 1,5 milion euro, pasi kishte luajtur dy ndeshje për Bayernin. Por u lëndua menjëherë. U lëndua rëndë dhe mungoi gjatë. Lëndimi e largoi nga rruga e duhur.

Më 1 shkurt të vitit të kaluar u huazua te skuadra holandeze VVV-Venlo. U kthye verën e kaluar te Wolverhamptoni, por nga kjo skuadër largohet pa debutuar në Premier League.

Në Grasshopper ka edhe futbollistë tjerë shqiptarë, ndërsa shpresat e Shabanit janë që ky është klubi i duhur për ta ngjallur karrierën.