Sport

Katër top-sportistët e familjes Rexhepi

Verona është e vogla e motrave Rexhepi. Rexhepi është mbiemri i familjes nga Kosova që jeton në Horsens të Danimarkës.

Si shumë familje kosovare që jetojnë në vende evropiane, edhe ajo Rexhepi pushimet i kalon në Kosovë. Rregullisht. Çdo verë.

Të premten pasdite Verona dallohej në një sallë fitnesi në qytetin e Mitrovicës. Shquhej me peshat që ngrinte lart dhe ushtrimet që i bënte. Të gjithë e kishin të qartë se bëhej fjalë për një sportiste profesioniste. Mënyra se si ushtronte e dëshmonte këtë.

Në sallë me Veronën ishin edhe motrat e saj, Sara e Rina. Por kjo nuk ishte e tëra nga familja Rexhepi. Ushtrimet po i bënte edhe më i vogli i familjes, Rinori. Rinori ngrinte më pak pesha. Është vetëm 15-vjeçar dhe ende duke lëshuar shtat.

Rinori vlerësohet futbollist me të ardhmen. Muaj më parë ka firmosur me Akademinë e klubit Horsens, ku vazhdon zhvillimin.

“Luaj në sulm. Shënoj shumë gola. Po zgjatem ende dhe shënoj shumë edhe me kokë. Por shënoj gola edhe me këmbë. Në klub janë të kënaqur me zhvillimin tim, tashmë jam në programin e talenteve të federatës së Danimarkës”, thotë Rinori me një shqipe të mirë. Ai është 15-vjeçar. Edhe deri më tani ka luajtur me më të mëdhenjtë. Prej edicionit të ardhshëm thotë se do të luajë me 17-vjeçarët.

“Në Danimarkë nuk nguten. Gjërat i marrin ngadalë, edhe zhvillimin në karrierë. Prej meje pritjet janë të mëdha, por të shohim. Klubin e kam afër shtëpisë dhe për këtë kam firmosur me Horsensin. Ka pasur interesim edhe nga klube të tjera. Njëherë është mirë, por të shohim”, vazhdon Rinori, që është më komunikues se motrat. Një pjesë të pushimeve familja Rexhepi e ka kaluar në jug të Shqipërisë.

“Këtu po kuptohem mirë në gjuhën shqipe. Në Sarandë e kisha më vështirë. Pak i kuptoja”, thotë Rinori duke qeshur.

Ai flet edhe për sportin e tri motrave. Secili prej fëmijëve të familjes Rexhepi ushtron në mënyrë individuale. Konsultohen herë pas herë, sidomos motra e madhe, Sara, me vëllain, Rinorin.

Image

“Hendbolli nuk është për mua. Unë jam për futboll”, thotë Rinori.

Pra, është hendbolli sporti i tri motrave Rexhepi.

“Verona po na kalon”, thotë e madhja, Sara. “Ajo mund të luajë për Danimarkën. Po zhvillohet shumë mirë. Prej saj presin shumë në Danimarkë”, vazhdon ajo.

Për një hendbolliste të luaj për Danimarkën është sukses kulmor. Bëhet fjalë për një prej përfaqësueseve më të mira në botë. Verona po e përsos hendbollin në Akademinë e klubit Skanderborg. Ajo ka lënë prapa një lëndim të rëndë të gjurit dhe po e vazhdon zhvillimin e hovshëm. Ka trup tipik për hendbolliste, me krahë të gjerë e të ndërtuar mirë.

“Verona ka luajtur për ekipin U17 dhe e ka fituar titullin e Danimarkës me Skanderborgun. Tani ka firmosur me një menaxhere të njohur që ka premtuar se do ta dërgojë në nivel të lartë. Ajo do të luajë me U19 dhe me ekipin e parë të Skanderborgut në kampionatin e ri. Kështu janë fjalët. Por të shohim”, thotë Sabit Rexhepi, babai i katër sportistëve me emrin Rexhepi. Ai vjen në fund të stërvitet për t’i dërguar fëmijët në shtëpi.

Sara 22-vjeçare e Rina 20-vjeçare, luajnë në kategorinë e dytë daneze. Janë pjesë e skuadrës AGF. Shquhen me numrin e madh të golave që i shënojnë. Të dyja në të kaluarën kanë luajtur për Kosovën. Fillimisht në kategori të reja, ku po ashtu ishin shumë efikase e më pas në përfaqësuesen seniore, ndonëse në moshë të re. Por ato në vitet e fundit nuk kanë luajtur për Kosovën.

“Nuk po mundemi. Tashmë jemi në universitet dhe kur po luan Kosova po kemi provime. Ndoshta në të ardhmen”, thotë Sara. Ajo studion juridikun, ndërsa Rina shkencat politike.

“Vazhdojnë edhe në sport, edhe në studime. Në të dyja anët janë mirë”, plotëson babai i katër sportistëve, Sabiti. “Sa i përket paraqitjes me Kosovën, të shohim. Unë si prind kam shumë dëshirë që ato të luajnë për vendin tonë, Kosovën”, vazhdon ai.

Edhe mediat daneze kanë shkruar për katër sportistët e familjes Rexhepi.

“Katër fëmijët e familjes Rexhepi kanë bërë rrugën për në sportin elitar. Temperamenti ballkanik, presioni dhe dëshira kalon nga dora në dorë”, ka shkruar sajti “stiften.dk”, muajin e kaluar.

Sara, Rina, Verona e Rinori përfundojnë stërvitjen në Mitrovicë. Të dielën marrin rrugë për në Danimarkë.

“Këtë herë qëndruam vetëm 11 ditë. Por, do të ushtrojmë kur të vijmë edhe herën tjetër”, thotë Sara. Ndoshta udhëtimi i ardhshëm do të bëhet për të luajtur për Kosovën.