Sport

“Koreografia barbare” motivon Llapin për ndeshjen e kthimit me Buduqnostin

Descriptive Text

Koreografi fyese për shqiptarët kanë shpalosur të enjten mbrëmë në stadiumin e qytetit në Podgoricë, tifozët e Buduqnostit, klubit më me nam në Mal të Zi. Në kuadër të rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës, Buduqnosti u përball me Llapin, fituesin e Kupës së Kosovës.

Skuadra podgoricase fitoi 2:0, por të premten më shumë vëmendje iu kushtua koreografisë së tifozëve të Buduqnostit dhe sjelljet e tyre në raport me lojtarët e Llapit. Të njohur si “Varvari” (Barbarët), tifozët e Buduqnostit shfaqën në tribunë një mesazh nacionalist serb. “Atje vëllezër, gati të marshojmë”, shkruante në panon e tifo-grupit “Varvari”. Është një varg ky i këngës “Onamo Namo” të Njegoshit, që ishte himn në Mal të Zi në fund të shekullit XIX. Me “atje” autori i referohet Kosovës, të cilën e paraqet si “tokë të shenjtë serbe”.

Kjo nuk ishte e tëra. Tifozët e klubit nga Podgorica publikuan një pano në formë stripi, fyese për shqiptarët. Pjesë e saj është një person me plis, pra i menduar si shqiptar, një dhi e po ashtu një figurë stripash. Mund të ketë interpretim të ndryshëm kjo pano, por përfundimisht është fyese ndaj shqiptarëve.

Mediat në Mal të Zi e kanë prezantuar paraqitjen e tifo-grupit “Varvari”, por pa i kushtuar ndonjë hapësirë të madhe.

“Marrë për bazë që në Podgoricë ka qenë mysafir një ekip nga Kosova, në stadium është parë atmosferë korrekte, pozitive. Megjithatë, nga tribuna veriore, ku janë tifozët më të zjarrtë të Buduqnostit, nuk kanë munguar provokimet. ‘Varvari’ ka shpalosur transparentin ‘Atje vëllezër, gati të marshojmë’, që është varg nga kënga ‘Onamo namo’. Është shpalosur po ashtu një karikaturë goxha pashije e dhisë, shqiptarit dhe Hogarit (figurë stripash v.j.)”, ka shkruar gazeta e madhe e Malit të Zi, Vijesti.

Llapjanët kanë bërë të ditur se tifozët e Buduqnostit kanë bërë thirrje në kor, fyese ndaj shqiptarëve.

“Kjo ka ndodhur gjatë tërë ndeshjes. Tifozët po ashtu kanë gjuajtur shishe në drejtim të bankës tonë rezervë”, ka njoftuar trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Ai ka bërë edhe një postim në rrjete sociale ku ka shkruar se e ka penguar urrejtja e tifozëve të ekipit kundërshtar ndaj kombit shqiptar. Batatina u ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve që të jenë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë të enjten e ardhshme për ndeshjen e kthimit.

Te Llapi tashmë kanë nisur fushatën me synim për ta mbushur stadiumin për ndeshjen e 14 korrikut. Dhe sjellja e tifozëve podgoricas po shërben si motivim për llapjanët.

“Kryesia e klubit merr vendim që në ndeshjen kthyese më 14 korrik në Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, të ketë bileta me çmime solide vetëm që stadiumi të jetë i stërmbushur ndaj atyre që treguan urrejtje jo vetëm ndaj nesh por ndaj gjithë kombit shqiptar, në ndeshjen e parë të zhvilluar mbrëmë në Podgoricë”, thuhet në një prej shumë disa njoftimeve që ka lëshuar Llapi të premten.

Për tribunat pas portës, çmimi i biletës është vetëm një euro, pra edhe më i ultë se për ndeshje të kampionatit të Kosovës. Për tribunën lindore të “Fadil Vokrrit” bileta kushton dy euro. Ndërsa për tribunën perëndimore, përkatësisht për tribunën kryesore, çmimi i biletës është tri euro. Biletat VIP për ndeshjen Llapi – Buduqnosti, kushtojnë pesë euro.

Çmimet janë dukshëm më të ulëta se për ndeshjet tjera të skuadrave kosovare në Kupa Evropiane. Për shembull Drita për ndeshjen e kthimit me Inter Turkun, ka njoftuar se biletat për lindje kushtojnë tri euro, ndërsa për perëndim shtatë euro. Për tribunat pas portave, skuadra gjilanase nuk nxjerr fale bileta në shitje. Ndërkohë, biletat VIP, Drita i shet 20 euro.

Llapi pritet ta ketë përkrahjen e tifozëve në ndeshje me Buduqnostin. Dhe i mbetet lojtarëve në fushë që të bëjnë përpjekje për ta përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë, që megjithatë, nuk është mision i lehtë.