Sport

Drita synon shkëlqimin në Prishtinë për ta kaluar Inter Turkun

Descriptive Text

Shumë kritika kanë pranuar trajneri dhe disa futbollistë të Dritës, pas disfatës së pësuar nga Inter Turku të mërkurën mbrëma. Edhe vetë futbollistët janë të dëshpëruar për disfatën e pësuar në Turku të Finlandës me rezultatin minimal 1:0, në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Megjithatë, te skuadra “bardhekaltër” besojnë se kanë forcë për të kaluar në raundin e dytë kualifikues të garës së nivelit të tretë kontinental. Ndeshjen e kthimit Drita e luan më 12 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndër lojtarët e paktë që u ka shpëtuar kritikave nga përkrahës të Dritës është mbrojtësi i krahut, Besnik Krasniqi. Për Krasniqin komentet ishin pozitive. Mbrojtësi nga Prishtina debutoi në ndeshje zyrtare për Dritën. Ai iu bashkua Dritës nga Prishtina kohë më parë.

Krasniqi është ndarë i kënaqur me paraqitjen, por jo edhe me rezultatin. Ai beson se Drita mund ta përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë.

“Jam i kënaqur me paraqitjen time të parë zyrtare dhe po ashtu me të gjithë ekipin. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë dhe jam shumë optimist që ndeshjen kthyese do ta fitojmë dhe do të kalojmë tutje. Ne patëm rastet tona për shënim, por besoj se ato do t’i shfrytëzojmë në Prishtinë”, ka thënë Krasniqi të enjten për KOHËN.

Drita ka mbërritur në Kosovë, ndërsa do t’i ketë disa ditë në dispozicion për t’u përgatitur për ndeshjen e dytë kualifikuese të Ligës së Konferencës.

Krasniqi insiston se skuadra gjilanase ka treguar paraqitje të mirë në Turku dhe se nuk ka nevojë të ndryshojë lojën e saj.

“Nuk besoj që duhet të ndryshojmë shumë gjëra. Besoj se do të jemi të gatshëm për ndeshjen e kthimit që çdo rast që do ta krijojmë, të arrijmë ta konkretizojmë me gol. Ne jemi një ekip i bashkuar dhe besoj se bashkë do t’ia dalim të kalojmë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës”, ka theksuar Krasniqi.

Golin e disfatës, Drita të mërkurën e pësoi nga një goditje standarde. E për të shmangur rrezikun e njëjtë, kapiteni i Dritës, Ardian Limani, thotë se duhet të jenë më të kujdesshëm në faullet rreth zonës.

“Mendoj që duhet t’i shmangim faullet afër zonës, sepse ata janë të mirë në ajër dhe gjuajtës të mirë. Ky edhe do të jetë rreziku më i madh. Rrezik tjetër nuk u shfaq nga ana e finlandezëve”, thotë për KOHËN Limani.

Mbrojtësi qendror vlerëson se Drita nuk e meritoi humbjen.

“Kemi pësuar një humbje të hidhur, nëse marrim parasysh mënyrën se si kemi humbur dhe si kemi luajtur. Pavarësisht kësaj, ne duhet të qëndrojmë pozitivë sepse kemi kualitet për ta rikthyer ndeshjen në Prishtinë. Do të jetë krejtësisht ndryshe dhe besojmë shumë fuqishëm që do të kalojmë tutje”, ka thënë Limani.

Për Dritën është hera e katërt që paraqitet në Evropë.

Drita përgatitjet i zhvilloi në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Skuadra gjilanase është përforcuar me disa futbollistë. Blend Baftiu, Besnik Krasniqi, Florian Smakiqi, Iran Junior, Kastriot Selmani, Leonat Vitija dhe Ekow Mills janë përforcimet e Dritës për edicionin 2022/2023.

Suksesin më të madh Drita e ka arritur në edicionin 2020/2021, duke shkuar deri në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.