Sport

Muriqi thotë se ende nuk ka nënshkruar me Club Brugge

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, thotë se ende nuk ka arritur marrëveshje me klubin belg, Club Brugge. Ai thotë se ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë.

Në ditët e fundit ka pasur raportime se është arritur marrëveshja në mes të Lazios dhe kampionit të Belgjikës për një transferim të Muriqit për 11 milionë euro.

“Sigurisht që është mirë të jesh lojtari më i shtrenjtë në historinë e një klubi, por ende nuk është nënshkruar, nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë. Shpresoj ta bëj punën e mbarë dhe të vazhdoj luftën time”, ka thënë Muriqi për “Spor Arena” të Turqisë. Gazeta turke e ka intervistuar të enjten Muriqin në aeroportin e Stambollit, përpara se ai të udhëtoj për në Belgjikë.

Po të enjten Muriqi u përshëndet me klubin e Mallorcas. Ai në rrjetet sociale ka postuar një letër falënderimi për klubin spanjoll.

Muriqi 28-vjeçar u huazua te Mallorca nga Lazio dhe sezonin 2021/2022 e mbylli me katër gola e tre asistime në 15 ndeshje në La Liga. Ai ndihmoi Mallorcan të mbijetojë në elitën e futbollit të Spanjës. Sulmuesi i Kosovës me Lazion ka kontratë deri në qershor të vitit 2025. Ai nuk arriti të dëshmohet në Itali.