Sport

Besart Ibraimi një nga më të mirët në Ligën e Evropës

Besart Ibraimi, pa dyshim se është një ndër sulmuesit më të mirë dhe më në formë shqiptar.

Bomberi kërçovarë një gjë të tillë e dëshmoi edhe në ndeshjet eliminatore të Ligës së Evropës këtë sezon, ku në 4 ndeshje ka arritur që të shënojë 4 gola.

Po këtë shifër gola, Ibraimi edicionin e kaluar e arriti pas 8 ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa tashmë një gjë të tillë po bënë në gjysmën e ndeshjeve, duke dëshmuar se forma e tij shkon vetëm në ngritje.

Më shumë se Ibraimi në kuadër të ndeshjeve të Liga Evropa, kanë shënuar vetëm Riçmond Boakaje i Crvena Zvezdës dhe Maksim Maksimov nga radhët e Trakait, kundërshtarit të Shkëndijës në raundin e tretë eliminatorë, transmeton InfoSport.

Do të jetë kjo një përballje e bukur mes dy sulmuesve kryesor të këtyre skuadrave, ku Ibraimi duket shumë më kërkues, pasi një gjë të tillë vërtetojnë edhe goditjet e tij drejt rrjetës kundërshtare.

Me 17 tentativa brenda kuadratit të golit kundërshtar, Ibraimi është i paarritshëm në këtë drejtim, derisa Maksim Maksimov ka 9 tentativa, po aq sa ka edhe Liridon Latifi i Skënderbeut, që gjithashtu ka shënuar edhe 3 gola.