Sport

Gana rekruton pesë lojtarë

Katër muaj para se të luajë në Kupën e Botës, Përfaqësuesja e Ganës ka shtuar pesë lojtarë të rinj që kanë të drejtë loje në Katar.

Mbrojtësi i Brightonit, Tariq Lamptey, ka luajtur për Anglinë U21, dyshja Stephan Ambrosius dhe Ransford-Yeboah Konigsdorffer, anëtarë të Hamburgut, përfaqësuan Gjermaninë U21 si dhe sulmuesi i Athletic Bilbaos, Inaki Williams, i cili ka luajtur miqësore për Spanjën, aty ku u lind. Një tjetër lojtar që luan në Gjermani me Darmstadti, Patric Pfeiffer, do të luajë për Ganën në të ardhmen.

Lajmi është bërë i ditur të mërkurën nga Federata e Futbollit e Ganës.

Gana u kualifikua për Botërorin e katërt, dhe të parin që prej vitit 2014. Në muajin mars e eliminoi Nigerinë në plejofin me dy ndeshje.

Në Grupin H me Ganën do të jenë edhe Portugalia, Uruguai dhe Koreja e Jugut.