Sport

Dita kur Guardiola ndryshoi historinë e Manchester Cityt

Pep Guardiola tashmë është kthyer në legjendë te Manchester City. Vetëm gjashtë sezone kanë qenë të mjaftueshme që ai të hyjë në mesin e trajnerëve më të suksesshëm në Premier League.

Sukseset e arritura, Guardiola i ka shënuar me skuadrën “e kaltër” të Manchester Cityt.

Sot, më 3 korrik, shënohet gjashtëvjetori qëkur ai arriti në klub, një moment që do të kujtohet gjithmonë në “Etihad”, për shkak se arritja e tij e ndryshoi fatin e klubit.

Guardiola me Manchester Cityn ka fituar katër tituj të Premier Leagues në gjashtë vjet, për aq kohë sa trajneri nga Katalunja ka qenë në krye të klubit.

Vetëm Juergen Kloppi me Liverpoolin në edicionin 2019/20 dhe Chelsea i Antonio Contes në edicionin 2016/17 kanë arritur që t’ia “rrëmbejnë” titullin Guardiolës.

Për më tepër, Guardiola i ka fituar të gjitha trofetë e mundshëm në Angli, duke u bërë i vetmi trajner që ka fituar “Community Shieldin”, Kupën FA, Kupën e Ligës dhe Premier Leaguen në të njëjtin sezon, me të njëjtin klub. Kjo kishte ndodhur në kampanjën 2018/19.

Disa nga lojtarët nuk kanë hezituar ta përgëzojnë punën e trajnerit nga Katalunja, e një prej tyre është Fernandinho, i cili ishte i padiskutueshëm për Guardiolën në City, në sezonet e fundit.

Futbollisti brazilian e falënderoi atë kur u përshëndet dhe tha po ashtu se “e ka bërë që të dashurohet me futbollin sërish”.

Erling Haaland, ylli i ri i ekipit “të kaltër”, nuk hezitoi po ashtu që ta përshkruajë Guardiolën si “një prej trajnerëve më të mirë në histori”.

E theu rekordin e Mourinhos

Guardiola ka qenë trajneri që e ka arritur më së shpejti shifrën e 500 pikëve në Premier League, duke e bërë një gjë të tillë në 213 ndeshje. Ai e ka thyer rekordin që dikur e mbante Jose Mourinho, një nga rivalët e tij më të mëdhenj, i cili kishte regjistruar 500 pikë në 231 ndeshje.

Në vitin 2021, ai arriti 36 fitore në ligën e Anglisë në 12 muaj. Ai e theu edhe rekordin Bob Paisleyt me 33 fitore te Liverpooli, në vitin 1982.

Guardiola ka shifra të jashtëzakonshme edhe në të kaluarën si trajner, sidomos te Barcelona.

Me Barçën e kishte fituar dy herë Ligën e Kampionëve brenda katër vjetësh, përfshirë gjashtë trofetë e fituar në sezonin e tij të parë.

Me Bayern Munichun po ashtu kishte suksese duke i fituar të gjitha trofetë, përveç atë të Ligës së Kampionëve.

Në sezonin 2020/21, City i drejtuar nga Guardiola, i udhëhequr nga yjet e skuadrës si Kevin de Bruyne dhe Bernardo Silva, shkoi në finalen e Ligës së Kampionëve për herën e parë në histori të klubit.

Megjithatë, u mposht në finale nga Chelsea i Thomas Tuchelit.