Sport

Volejbollistët serbë vazhdojnë të mburren me skandalin, ende pa masa ndaj tyre

Descriptive Text

Volejbollistët serbë, Marko Makariq e Vukashin Rajkoviq, po ftohen në televizione të ndryshme të Serbisë. Jo që kanë arritur ndonjë sukses, por për një veprim që u vlerësua skandaloz e plotësisht antisportiv.

Javën e kaluar Makariq e Rajkoviq hoqën dorë nga gara e mëtejme në Kampionatin Ballkanik të volejbollit në rërë për ta shmangur përballjen me ekipin e Kosovës. Dy volejbollistët serbë i luajtën ndeshjet e para dhe më pas është dashur të takohen me Kosovën. Dhe njoftuan paraprakisht se tërhiqen nga gara për ta shmangur ndeshjen me Kosovën.

Një javë pas veprimit të plotë josportiv, dy volejbollistët serbë thonë se nuk janë pishman për vendimin. Makariq e Radojkoviq së fundi ishin të ftuar në “TV Prva”.

“Kur kemi kuptuar për Kampionatin Ballkanik e kemi ditur se një ekip i tyre është atje. Organizatorët e kanë ditur se cila është situata dhe na kanë shmangur në short. Ne kemi fituar në ndeshjen e parë e ata kanë humbur. Para nesh ishte dueli me Turqinë. E kemi ditur se nëse humbim me Turqinë, do të takohemi me ata. Synimi ishte ta mposhtim Turqinë dhe ta fitojmë Ballkanikun. Kemi humbur dhe e kemi ditur se çka na pret. Ndodhi skenari që nuk e kemi dëshiruar”, ka thënë Rajkoviq.

“Më pas kemi biseduar dhe e kemi marrë vendimin. E kemi ditur se shkojmë në shtëpi, me krenari kemi përfunduar në vendin e nëntë. Na mbetet merak lufta për medalje, por e kemi ditur se nuk mund ta vazhdojmë pjesëmarrjen në garë”, ka theksuar Makariq, përcjell “blic.rs”.

Dy serbët kanë marrë përkrahje të madhe në vendin e tyre për veprimin që në vendet e tjera të regjionit është cilësuar skandaloz.

Ata kanë falënderuar popullin serb që i ka dhënë publicitet ngjarjes dhe u ka ofruar përkrahje atyre. Njëri volejbollist ka treguar se ka marrë mbi 100 mesazhe përkrahëse për veprimin.

“Edhe unë e kam pasur këtë ndjenjë, se kemi fituar turneun e jo që kemi përfunduar në vend të nëntë. Populli te ne ka parë një lloj energjie. Tani kemi edhe më shumë motiv”, ka theksuar Makariq.

Ballkaniku ishte mbajtur në Turqi, ndërsa volejbollistët kosovarë u kthyen me fitoren zyrtare ndaj Serbisë. Federata e Volejbollit e Kosovës nuk i ka kushtuar ndonjë rëndësi veprimit antisportiv të serbëve.

Ndërkohë nuk është njoftuar për ndonjë masë për veprimin antisportiv, nga Asociacioni Ballkanik i Volejbollit, Federata Evropiane dhe Federata Ndërkombëtare e Volejbollit. KOHA u ka shkruar nga disa herë të gjitha këtyre organizatave, por nuk ka marrë përgjigje.

Gara nuk ishte e ndonjë niveli të lartë dhe ky rast pritet të kalohet në heshtje.

Federata e Volejbollit e Serbisë kishte arsyetuar tërheqjen e volejbollistëve të saj me lëndimin e njërit prej tyre.

Ndërkohë në Lojërat Mesdhetare erdhi te dy përballje mes sportistëve nga Kosova dhe atyre nga Serbia. Për shkak të rëndësisë së garës, serbët janë paraqitur në arenë. I kanë fituar të dy përballjet.