Sport

Shkëlqen Laura, tjetër medalje e artë për Kosovën

Laura Fazliu ka siguruar medaljen e dytë të artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë.

Xhudisjta garoi të enjten në kategorinë deri 63 kilogramë dhe kishte një ditë shumë të mirë. Për Kosovën është medalja e dytë e artë, pas asaj të fituar nga Distria Krasniqi.

21-vjeçarja Laura Fazliu ka vazhduar me formë shumë të lartë.

Në fund të prillit ajo doli nënkampione e Evropës, ndërsa tani është kampione mesdhetare.

Laura ishte bartësja e tretë, ndërsa në finale e mposhti bartësen e parë, spanjollen Cristina Cabana Perez.

Ndaj saj fitoi me Waza-ari në kohën shtesë. Lufta ishte e fortë, por Laura vazhdimisht ka kërkuar hedhjen. Laura e nisi ditën me fitore ndaj kroates, Iva Oberan.

Ndaj saj fitoi me “Waza-ari”, në çerekfinale. Në gjysmëfinale e mposhti xhudisten algjeriane, Amina Belkadi. Edhe ndaj Belkadit, që kishte përkrahje të madhe nga shikuesit, realizoi aksion për “Waza-ari”.

Laura ka shfaqur më shumë në të dy luftërat e para, duke mos u rrezikuar thuajse asnjëherë. Spanjollen Cabana, Laura e kishte mposhtur edhe në gjysmëfinale të Evropianit në Sofje.

Prej saj priten medalje tjera të mëdha.