Sport

Basketbollistet e Kosovës mposhtin Andorrën

Pas humbjes së papritur nga Malta në hapje të Kampionatit Evropian për Shtetet e Vogla, basketbollistet e Kosovës kanë shijuar fitoren e parë në këtë garë të FIBA-s. Kosova të mërkurën, në duelin e dytë, triumfoi ndaj Andorrës me mbi 20 pikë epërsi.

Dueli i luajtur në Qipro në Nikozi të Qipros, ku po mbahet ky kampionat, u mbyll me shifrat 77:56 në të mirë të Kosovës. Basketbollistet e Kosovës kanë dominuar në këtë duel përball Andorrës, që ndeshjen e parë e humbi thellë nga Norvegjia. Andorra ndaj Kosovës arriti ta fitojë vetëm çerekun e dytë (17:16), pasi në tri periudhat tjera Kosova ishte më e mirë.

Po ashtu, Andorra gjatë tërë ndeshjes vetëm një herë ishte në epërsi dhe atë në fillim të çerekut të parë kur avancoi me shifrat 9:8. Edhe ndaj Andorrës, sikurse ndaj Maltës, te Kosova më e dalluara ishte Saranda Daci. Daci ndeshjen e mbylli me 18 pikë të shënuara e nëntë kërcime, dhe ishte e vetmja te “Dardanet” me pikë dyshifrore.

Era Shatri pati nëntë pikë e shtatë kërcime kurse Aulona Muhadri shtoi tetë pikë e pesë kërcime. Ndeshjen e radhës, Kosova e luan të enjten kundër Përfaqësueses së Qipros.