Sport

Arsyetimi i Shatrit pas disfatës nga Malta: Humbëm shumë gjuajtje të lira

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll (femrat), ka pësuar humbje të rëndë të martën. Në Nikozi të Qipros në nismë të Kampionatit Evropian për Vende të Vogla, Kosova humbi nga Malta me shifrat 68:61.

Malta nuk është llogaritur fare rivale e Kosovës në tentim për ta fituar këtë garë. Por maltezet shfaqën më shumë dhe e fituan ndeshjen.

Selektori Fidan Shatri ka thënë se në humbje ndikoi dështimi në gjuajtje të lira dhe humbja e disa gjuajtjeve nga pozita të pastra.

“Ndeshjen e filluam me ngarkesë psikologjike dh bëmë disa gabime në fazën e mbrojtjes. U kthyem më mirë në vazhdim, por humbëm 50 për qind të gjuajtjeve të lira dhe shtatë gjuajtje të lehta. Kjo na kushtoi në fund. Do të mundohemi të kthehemi në ndeshjen e nesërme kundër Andorrës dhe do të fokusohemi në ndeshjen e tretë kundër Qipros”, ka thënë Shatri për KOHËN.