Sport

Sadio Mane nuk do ta mbajë numrin e preferuar te Bayerni

Futbollisti senegalez Sadio Mane do të bartë fanellën me numrin 17 te Bayerni, ndonëse pritej që Leroy Sané t’ia jepte numrin e preferuar - 10.

Mane së fundmi dhe u transferua nga Liverpooli te Bayerni për 32 milionë euro, plus maksimumi nëntë milionë euro bonuse dhe në faqen zyrtare u njoftua se do të bartë fanellën me numrin 17.

Më herët, këtë numër në fanellë te bayerni e kanë bartur Christian Ziege, Mark van Bommel dhe Jerome Boateng.

Mane ka lëshuar pe dhe nuk ka insistuar shumë për numrin 10. Ai shpreson që të arrijë suksese të mëdha në sezonin e ri.

"Zgjodha numrin 17 dhe dua të festoj suksese të mëdha me skuadrën. Tani mezi pres të përgatitem për sezonin e ri dhe me shokët e mi të rinj", tha Mane.

Senegalezi ka veshur fanellën me numrin 10 në Liverpool, ndaj pritej që atë ta merrte edhe te Bayerni, ku këtë numër e mban Leroy Sané.

Mane është shprehur jashtëzakonisht i lumtur që ka kaluar më në fund në Bayerni dhe siç thotë ai, ka vërejtur interesin e madh të klubit për angazhimin e tij që në fillim.

Ai luajti 51 ndeshje në të gjitha garat për Liverpoolin sezonin e kaluar, shënoi 23 gola dhe bëri pesë asistime. Mane u pat transferuar në Liverpool në vitin 2016 nga Southamptoni për 41.2 milionë euro.