Sport

Dy ëndrrat e Berishës para pensionimit

Valon Berisha ka shumë ëndrra sa i përket karrierës së tij futbollistike.

Por, dy prej tyre janë më të veçanta. Të luajë në një ngjarje të madhe me Përfaqësuesen e Kosovës dhe ta bëjë hapin e madh në karrierë, të transferohet në ndonjë skuadër të Premier Leagues së Anglisë, ka shkruar të shtunën mediumi “TV2”.

Berisha është 29-vjeçar dhe ai e di mirë se karriera e tij futbollistike është afër fundit. Megjithatë, ai nuk e ka ende në plan që të ndalet.

Edhe pse disa lëndime të vogla e kanë mbajtur atë jashtë fushës për pjesën më të madhe të sezonit në Francë me Reimsin, ai punon jashtëzakonisht shumë për t’i bërë realitet ëndrrat që i ka.

Një nga to është të luajë në ndonjë ngjarje të madhe me Kosovën, vendlindjen e prindërve të tij, dhe tjetra është që të luajë në Premier League.

Ai e ka besimin shumë të fortë se që të dyja janë të mundshme.

“Nëse arrij që të fitoj diçka me një klub si Reimsi, atëherë do ta kem mundësinë të transferohem në ndonjë klub të madh”, thotë Berisha.

Mst: Nuk e përjashton mundësinë e rikthimit te Vikingu

Ka kohë të gjatë qëkur skuadra Stade de Reims fitoi diçka për herë të fundit në historinë e klubit, ndërsa Kosova renditet në vendin e 106-të në ranglistën botërore të shteteve.

Si rezultat i kësaj, ekziston mundësia që ëndrrat e tij të mbesin vetëm ëndrra.

“Por unë dua që të jem në gjendje t’i them vetes se ia kam arritur një gjëje të tillë, se ia kam arritur që të luajë në Premier League”, ka thënë Berisha. “Pas asaj, do të jem i hapur të bëj diçka zbavitëse. Të luaj futboll në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shembull”, shtoi ai.

Shumë tifozë të Vikingut e presin një rikthim të tij në skuadër, por a mund të ndodhë një gjë e tillë?

“Mund të ndodhë, por nuk do të ndodhë tani. Padyshim se nuk mund të ndodhë tani”, thotë Berisha.

Mst: Ribashkimi me vëllain e vogël

Vetëm kur t’i përfundojë së ndjekuri ëndrrat që i ka, ai do të mendojë për rikthim. Edhe pse ka jetuar jashtë shtetit për dhjetë vjet dhe ka zgjedhur ta përfaqësojë Kosovën në vend të Norvegjisë, Stavangeri dhe Egersundi do të jenë gjithmonë “shtëpitë” e tij.

“Është gjithmonë mirë të kthehem, kështu që një transferim te Vikingu mund të ndodhë në pesë apo gjashtë vjetët e ardhshëm. Do të ishte gjë e veçantë ta mbyllja karrierën me Vetonin (vëllanë e vogël, i cili luan te Vikingu)”, thotë Berisha.

Plani i tij është që një ditë të kthehet në shtëpi, megjithatë.

“Jam rritur atje, familja ime është atje, jeta ime jashtë futbollit është atje. Kështu që ideja është që të vendosem aty dhe me shpresën të kem një familje, fëmijë”, vazhdon tutje Berisha, i cili aktualisht jeton i vetëm.

Mst: Hapja e akademisë

Pas përfundimit të karrierës aktive si futbollist, Berisha duhet të mendojë të bëjë diçka më vonë, ndoshta të hapë edhe një akademi të futbollit.

“Padyshim se një herë do të bëj një pushim të shkurtër. Ndoshta do ta kaloj një vit në shëtitje, për ta parë botën paksa. Të bëj udhëtime të ndryshme e të shoh se cili lloj i jetës më përshtatet më shumë”, thotë 29-vjeçari.

Në çfarëdo rasti, ai beson se do të ketë diçka që “ka të bëjë me futboll”.

“Mendoj se kam shumë për të dhënë. Kam shumë eksperiencë dhe jam shumë i mirë që t’i bind njerëzit të besojnë në diçka. E kam kuptuar se njerëzit dëshirojnë t’i dëgjojnë gjërat që unë kam për t’i thënë”, thotë ai.

Një gjë të tillë e zbuloi në një shkollë futbolli për fëmijë në Kosovë. Një eksperiencë që ai e vlerësoi shumë.

“Mendoj se do të ishte mirë që ta kem akademinë “Valon”, për t’i ndihmuar talentet e reja në Kosovë, kështu që ata do të mund të kishin karrierë jashtë shtetit. Jo pse unë dua të fitoj diçka nga ajo, por vetëm dua të ndihmoj. Dua t’ua jap të tjerëve një shans. Të paktën, kjo është më e pakta që mund të bëj”, ka përfunduar Berisha.