Sport

Berisha optimist në prag të duelit me Danimarkën

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, është shprehur optimist para përballjes me Danimarkën, në kuadër të fazës së parë parakualifikuese për “Eurobasketin 2025”. Kosova javë më parë ka nisur përgatitjet për këtë ndeshje, e cila zhvillohet më 30 qershor në Naestved të Danimarkës. Për “Dardanët” ky është dueli i fundit në grup, e ku Kosova po e kërkon vendin e dytë për të avancuar në raundin e dytë të parakualifikimeve.

Në fakt, Kosova po synon të avancojë në këtë fazë si ekipi më i mirë i dytë i fazës së parë. Katër përfaqësuese prej tri grupeve do të kalojnë në rundin tjetër: tri të parat në grupe dhe ekipi më i mirë i dytë. Aktualisht, Kosova është e dyta në Grupin C me 4 pikë, një më pak se Norvegjia që është e para dhe një më shumë se Danimarka që renditet e treta. Megjithatë, Norvegjia e Danimarka kanë një ndeshje më pak të luajtur dhe do të përballen më 3 korrik.

Në ndeshjen e parë, të luajtur në nëntor të vitit të shkuar, Kosova pati triumfuar në Prishtinë me shifrat 78:73. E Berisha beson se edhe në Danimarkë do të mund të marrin një rezultat të mirë, ndonëse pranon se nuk do të jetë lehtë. Ai thotë se Danimarka llogaritet favorite për shkak se luan në shtëpi dhe ka përkrahjen e tifozëve.

“Nuk do të jetë aspak lehtë. Në të vërtetë do të jetë shumë vështirë sepse luajmë në udhëtim dhe Danimarka do të ketë përkrahje më të madhe. Megjithatë, ne nuk udhëtojmë të dorëzuar në Danimarkë dhe do të angazhohemi maksimalisht për të pasur një paraqitje sa më të mirë”, është shprehur Berisha të premten për KOHËN. “Përfaqësojmë vendin tonë, kështu që do të japim gjithçka nga vetja për ta nxjerrë një rezultat pozitiv dhe të shpresojmë që të avancojmë tutje”.

Në tri ndeshje të luajtura deri më tani në grup, Berisha ishte më efikasi te Kosova, që krahas një fitoreje ka regjistruar edhe dy humbje, të dyja nga Norvegjia. Në këto tri duele Berisha ka luajtur me një mesatare prej 21 pikëve për ndeshje. Berisha ka thënë se stërvitjet po shkojnë mirë dhe me ritëm të intensifikuar, por shpreson që Kosova të jetë e kompletuar për ndeshjen ndaj Danimarkës.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë, ndonëse kemi shumë mungesa dhe lëndime. Por, ne që po ushtrojmë po e japim maksimumin në çdo stërvitje për të qenë plotësisht të gatshëm për këtë ndeshje të rëndësishme”, u shpreh Berisha.

Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, për ndeshjen me Danimarkën i ka grumbulluar 14 lojtarë përpara se të përcaktohet për listën përfundimtare. Ai nuk ka ftuar asnjë amerikan të natyralizuar. Në mesin e të ftuarve janë edhe Amin Hot, Ardit Pepaj e Etnik Peci, që për herë të parë janë grumbulluar me Kosovën.