Sport

UEFA demanton ministrin francez për numrin e biletave të falsifikuara në Champions

Një përfaqësues i lartë i UEFA-s tha të martën se nuk i besonte aspak pretendimet e ministrit të Brendshëm të Francës, Gerald Darmanin, për numrin e biletave false në qarkullim gjatë skenave kaotike para finales së Ligës së Kampionëve të muajit të kaluar ndërmjet Liverpoolit dhe Real Madridit. Kjo finale është zhvilluar në stadiumin “Stade de France” në Paris muajin e shkuar.

Pas ndeshjes së 28 majit, ministri Darmanin pretendoi se rreth 30,000 apo 40,000 bileta false në duart e tifozëve të skuadrës së Liverpoolit ishin shkaku i problemeve pasi policia futi mijëra tifozë në nënkalimet e mbipopulluara rreth stadiumit. E për shkak të kësaj, sipas tij, erdhi edhe te shtyrja e ndeshjes finale për më shumë se 30 minuta. Martin Kallen, drejtor i përgjithshëm i ngjarjeve të UEFA-s, i cili është përgjegjës për ngjarjet komerciale të këtij institucioni, tha në një seancë dëgjimore në Senatin francez, i cili po heton incidentet se shifra e biletave të falsifikuara ishte shumë më e ulët.

insistoi se nuk ka gjasa që rreth 40.000 bileta të ishin falsifikuara për finalen e garës më elitare të Evropës në nivel klubesh.

“Ne e dimë se ishin rreth 2,600 bileta të falsifikuara edhe pse ndoshta numri i tyre mund të jetë edhe pak më i madh. Saktësisht, nuk e dimë se sa bileta ishin të falsifikuara për shkak se nuk mund ta verifikojmë këtë”, tha Kallen. “Megjithatë, ne nuk besojmë se është numri i përmendur në Francë, pra rreth 30.000 deri në 40.000 ishin të falsifikuara. Nuk ka gjasa që të jetë një numër kaq i madh”.

Keller tha se nuk ishin biletat e falsifikuara, por faktorë të tjerë shkaktuan problemet në “Stade de France”, në kaosin që pa policinë franceze të përdorte gaz lotsjellës nga afër, madje edhe kundër fëmijëve.

“Nuk ishin vetëm biletat në letër që krijuan kaos para portave të stadiumit dhe këtë duhet ta pranojmë”, deklaroi Kallen. “Arsyet janë të shumta: një grevë transporti, reagim i dobët nga ana e zyrtarëve të angazhuar për sigurinë, pastaj edhe reagimi i policisë. Po ashtu ka pasur delikuencë dhe një fluks jashtëzakonisht të madh njerëzish para stadiumit pa biletë apo me bileta false”.

Krahas zyrtarit të lartë të UEFA-s, dëshmi në Senatin francez do të japin edhe tifozët e skuadrës së Liverpoolit dhe Real Madridit. Të dy ekipet kanë kërkuar sqarime për skenat që ndodhën para finales, ku shumë tifozë me bileta mbetën jashtë stadiumit. UEFA ka nisur hetimin e saj, të mbikëqyrur nga një ish-ministër portugez i Arsimit dhe Sportit, për të cilin Kallen tha se do të paraqesë verdiktin e tij përfundimtar në muajin shtator.

“Ne menduam se hetimi do të zgjaste të paktën dy deri në tre muaj”, pranoi Kallen. “Meqë po fillon tani, mund të themi diku se në shtator do t’i kemi rezultatet përfundimtare”.

Real Madridi e mposhti Liverpoolin në finalen e Championsit për ta fituar trofeun e 14-të të Evropës. Ndeshja në Paris u mbyll me rezultatin 1:0 për skuadrën spanjolle, kurse golin e vetëm e shënoi braziliani Vinicius Junior në pjesën e dytë.