Sport

Tek Ylli vlerësojnë se janë të gatshëm për Champions

Me të filluar java e ardhshme te Golden Ealge Ylli do ta nisin punën intensive për ta kompletuar ekipin për edicionin e ri. Si kampion i Kosovës në basketboll, Ylli në edicionin 2022/23 do të paraqitet në raundin e parë të Ligës së Kampionëve. Një gjë e tillë është konfirmuar të premten nga drejtuesit e klubit nga Suhareka, por edhe nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).

“KB Golden Eagle Ylli e ka kompletuar dokumentacionin e kërkuar nga Basketball Champions League, të cilin nëpërmjet FBK-së e ka përcjellë te departamenti i garave të kësaj lige prestigjioze të basketbollit”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e FBK-së, ku bëhet e ditur se lista e ekipeve pjesëmarrëse për edicionin e ri do të konfirmohet të premten e ardhshme.

Për Yllin kjo do të jetë hera e parë që do të paraqitet në skenën evropiane. Në fakt ekipet nga Kosova do të paraqiten për herë të parë në garat e FIBA-s që nga edicioni 2019/20. Herën e fundit Kosova në Champions u përfaqësua nga Sigal Prishtina, që ishte eliminuar në raundin e parë kualifikues.

Prishtina tri herë rresht është paraqitur në Champions, që është niveli i tretë evropian, pas “Euroligës” dhe “Eurocup”. Por Prishtina në asnjërin rast nuk ka arritur të avancojë përtej raundit të parë kualifikues.

Tek Ylli po shpresojnë të kenë edhe fat në short për t’ia dalë që të paktën ta kalojnë një rreth të garave. Ylli në dy edicionet e fundit e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës dhe drejtori i klubit, Egzon Fetiu, ka thënë se ekipi do të jetë i gatshëm për Champions. Sipas tij, Ylli ka kohë që e ka pasur në plan paraqitjen në arenën ndërkombëtare dhe pas dy edicioneve të suksesshme me katër trofe, ekipi është gati për t’u prezantuar edhe jashtë Kosovës. Krahas dy titujve të kampionit, Ylli në dy edicionet e fundit e ka fituar edhe trofeun e Ligës Unike dhe atë të Superkupës Mbarëkombëtare.

“E kemi parasysh që nuk do të jetë aspak lehtë për shkak se Championsi është një garë e vështirë, por besoj se do të jemi gati. Sigurisht që duam të kemi rezultate të mira, por duhet që të jemi edhe me fat në tërheqjen e shortit. Varet shumë edhe prej shortit për shkak të kundërshtarit”, ka thënë Fetiu të premten.

Fetiu ka treguar se edhe nëse eliminohet në raundin e parë të Championsit, Ylli garat do t’i vazhdojë në fazën e grupeve të “FIBA Europe Cup”, nivelin e katërt evropian.

Ylli për edicionin e ri pritet ta bëjë një skuadër edhe më të fortë sesa në dy edicionet e fundit. Krahas lojtarëve vendorë, Ylli do të përforcohet edhe më të huaj cilësorë . Fetiu tha se formimi i ekipit për edicionin 2022/23 tashmë ka nisur, me trajnerin Adis Beçiragiq që ka kontratë.

“Kemi nisur me trajnerin që ka kontratë me ekipin edhe për sezonin e ri dhe pastaj do të vazhdojmë me lojtarë vendorë. Do të nisim prej javës së ardhshme, e cila do të jetë shumë intensive për shkak se fillimisht do të fokusohemi te vendorët. Duhet të veprojmë dhe të krijojmë një ekip edhe më të fortë dhe më të gjerë për shkak të orarit të ngjeshur që do ta kemi”, u shpreh Fetiu. “Kur të kompletohemi me vendorë, pastaj do të shikojmë për lojtarët e huaj që sigurisht se do të jenë të nivelit edhe më të lartë. Nëse eliminohemi në Champions do të vazhdojmë në FIBA “Europe Cup”. Duhet të ndërtojmë një ekip edhe më të mirë se sezonin e fundit, patjetër”.

Ai ka bërë të ditur se sezonin e ri Ylli do të paraqitet edhe në Ligën Unike.

Në të vërtetë, Sigal Prishtina është ekipi që ka paraqitje më të shumti në garat e FIBA-s. Krahas Championsit në tre vjet rresht (2017-2020), Prishtina ka luajtur edhe pesë herë në fazën e grupeve të “FIBA Europe Cup”. Suksesin më të madh në “FIBA Europe Cup”, Prishtina e pati arritur në sezonin 2018/19, kur arriti deri në 1/8 e finales. Në këtë garë, një edicion është paraqitur edhe Peja (2016/17).

Në vitet e fundit klubet kosovare nuk kishin paraqitur interes për të garuar në Evropë. Tani me shumë mundësi në gara kontinentale do të paraqitet edhe nënkampionia, Trepça.