Sport

La Liga paraqet ankesë në UEFA kundër PSG-së për Mbappen

Liga spanjolle ka depozituar një ankesë në UEFA kundër Paris Saint-Germainit, duke thënë të mërkurën se klubi francez ka thyer rregullat e ferplejit financiar kur i dha sulmuesit Kylian Mbappe një marrëveshje të re për ta bindur që ta refuzonte kalimin te Real Madridi. La Liga tha se denoncoi PSG-në në UEFA këtë javë, duke shtuar një ankesë të ngjashme që bëri në prill kundër Manchester Cityt, për të cilin thotë gjithashtu se “vazhdimisht dështon në përputhje me rregulloret aktuale të ferplejit financiar”. Liga spanjolle tha se do të ndërmarrë veprime ligjore shtesë kundër PSG-së në Bashkimin Evropian, Francë dhe Zvicër.

“La Liga konsideron se këto praktika ndryshojnë ekosistemin dhe qëndrueshmërinë e futbollit, dëmtojnë të gjitha klubet dhe ligat evropiane dhe shërbejnë vetëm për të fryrë artificialisht tregun me paratë që nuk janë krijuar në vetë futbollin”, thuhet në një deklaratë të ligës spanjolle.

Pasi Mbappe refuzoi Real Madridin muajin e kaluar, liga spanjolle tha se kontrata e re trevjeçare e lojtarit me PSG-në ishte “skandaloze” dhe dëmtoi stabilitetin ekonomik të futbollit evropian.

“La Liga e kupton që këto klube po financohen në mënyrë të pahijshme, qoftë përmes injektimeve të drejtpërdrejta të parave ose përmes sponsorizimeve dhe kontratave të tjera që nuk korrespondojnë me kushtet e tregut ose nuk kanë kuptim ekonomik”, tha La Liga të mërkurën.

Liga spanjolle argumenton se nuk do të ishte financiarisht e qëndrueshme për PSG-në të arrinte një marrëveshje me Mbappen duke marrë parasysh humbjet e fundit të klubit francez duke mbajtur një skuadër të shtrenjtë që përfshin yjet e tjerë si Lionel Messi e Neymar. Ankesa kundër Manchester Cityt u depozitua në prill dhe liga spanjolle paralajmëroi se mund të ndërmarrë veprime të mëtejshme kundër klubeve pasi mblidhen të dhëna të reja. PSG-ja është në pronësi të kompanisë shtetërore “Katar Sports Investments”, ndërsa City është nën pronësinë e Abu Dhabit. Presidenti i ligës spanjolle Javier Tebas ka sulmuar shpesh klubet shtetërore për atë që ai e quan mospërfillje të rregullave të lojës së ndershme financiare. Ai shkroi në “Twitter” pasi u publikua lajmi se Mbappr po qëndronte në PSG se ishte një “Fyerje për futbollin”. Liga franceze më vonë i shkroi një letër Tebasit duke mos miratuar sulmet e tij dhe duke thënë se ato ishin të pabaza. Liga spanjolle tha se punësoi firma ligjore në Francë dhe Zvicër për të trajtuar veprimet ligjore në ato vende, duke përfshirë ndoshta edhe kundër presidentit të PSG-së Nasser Al-Khelaifi për “konflikt interesi” mbi rolet e tij me UEFA-n dhe entitete të tjera të lidhura me futbollin.

Nuk është hera e parë që liga spanjolle merr masa kundër PSG-së dhe Cityt. Ajo kishte paraqitur tashmë ankesa kundër tyre për shkeljen e rregullave të lojës së ndershme financiare në vitet 2017 dhe 2018, duke çuar në sanksione nga UEFA që përfundimisht u anuluan me vendimet “e çuditshme” nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), sipas ligës spanjolle.

“La Liga vazhdon të marrë përsipër përgjegjësinë për të mbrojtur lojën e ndershme financiare dhe futbollin e qëndrueshëm në Evropë”, shtoi liga spanjolle në komunikatën e saj.