Sport

Hasani i bashkohet Tiranës

Mesfushori Florent Hasani i është bashkuar Tiranës, skuadrës kampione të Shqipërisë. Klubi shqiptar të mërkurën nëpërmjet një postimi në “Instagram” e ka zyrtarizuar transferimin e Hasanit.

Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë të ditura, por Hasani është përforcimi i dytë te Tirana për sezonin e ri. Ai do të transferohet si lojtar i lirë, pasi në fund të këtij muaji i skadon kontrata me Gyirmotin e Hungarisë.

Hasani tek ekipi hungarez u transferua verën e shkuar dhe shënoi tri gola në 32 paraqitje kampionale. 25-vjeçari karrierë ka bërë edhe te Hapoel Kfar Saba në Izrael dhe Diosgyori në Hungari kurse në Kosova ka qenë pjesë e Trepçës ’89 e Vushtrrisë.

Ai ka edhe tetë paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës dhe një gol të shënuar.