Sport

Me fitore “si në stërvitje”, Distria dëshmon se është në rrugën e duhur

Fitorja në finalen e së premtes e Distria Krasniqit dukej sikur ajo të ishte në stërvitje. Kështu ka shkruar sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), pas suksesit të radhës të garueses kosovare.

Distria fitoi të artën në Grand Slamin e xhudos të mbajtur në Tbilisi të Gjeorgjisë. Ishte bartësja e tretë, por zuri vend në shkallën më të lartë të podiumit. Për medalje të artë mposhti fillimisht bartësen e tretë e më pas edhe bartësen e dytë. Dhe me paraqitjen në Tbilisi, Distria ka dëshmuar se është në rrugën e duhur për të prekur majën në kategorinë deri 52 kilogramë. Ajo është kthyer në këtë kategori pas Lojërave Olimpike të Tokios. Në Tokio fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë. Ndryshimi i kategorisë ka sfidat e veta, por Distria po i kalon lehtë ato. Sukseset në gara e dëshmojnë këtë.

Maria Taba e Brazilit ishte xhudistja e parë që u mposht nga Distria të premten. Me një hedhje të bukur, xhudistja pejane e mposhti holandezen Naomi Van Krevel. Francezja Astride Gneto, që po kalon formën më të mirë në karrierë, ishte përballë kosovares në gjysmëfinale. Ndërkohë hungarezja Reka Pupp, që e kishte mposhtur Distrinë në duelin e kaluar, ishte kundërshtare e finales. Pak më shumë se një minutë zgjati lufta. Distria realizoi hedhje të bukur e më pas vazhdoi aksionin me mbërthim deri në sigurimin e “Ipponit”.

Ndaj Puppit, 26-vjeçarja tani ka tri fitore e një humbje. Pupp e kishte mposhtur Majlinda Kelmendin në Lojërat e Tokios dhe ishte koha që Distria t’ia dëshmonte nivelin e vërtetë të xhudisteve kosovare. Këtë edhe e bëri. Me një fitore si në stërvitje.

“Krasniqi nuk i dha Puppit asnjë shans për fitore. Një minutë e gjysmë kaloi për të ndier finalen, pastaj erdhi ‘Waza-ari’, i përcjellë nga ‘osae-komi’, sikur të ishte një stërvitje. Krasniqi është duke kompletuar përgatitjet për Botëror dhe po i përmbahet plotësisht planit”, ka shkruar IJF-ja në raportin për garën e mbajtur të premten në kryeqendrën e Gjeorgjisë.

Distria është e vetmja garuese e Kosovës që udhëtoi për në Tbilisi. Ajo ka fituar medalje në të gjitha katër garat ku mori pjesë këtë vit. Ishte e artë në Grand Prix në Portugali. Më pas fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit. Në Evropianin në Sofje e fitoi medaljen e bronztë.

“Krasniqi nuk nisi shumë fort, por u ngroh gjatë ditës dhe arriti në finale në formë shumë të mirë. Për të arritur në finale, Krasniqi kaloi Gneton në atë që ishte një nga luftërat më të mira të ditës”, ka shkruar në analizën teknike Tonino Chyurlia, sekretar i komisionit të referëve të IJF-së.

Sajti zyrtar i Unionit Evropian të Xhudos ka shkruar se Krasniqi doli në tatami për hakmarrje ndaj hungarezes Pupp. Sipas EJU-së, Distria kishte kontrollin e luftës dhe dominoi luftën për gard.

Distria Krasniqi ka folur për sajtin zyrtar të EJU-së pas garës.

“Po ndihem shumë mirë dhe shumë e lumtur. Po ndihem mirë në kategorinë e re. Kam qenë në podium në të gjitha garat në kategorinë deri 52 kilogramë, por në të parën. Kam mësuar shumë nga kjo dhe po ndihem çdo ditë e më mirë. Po i analizoj kundërshtaret. Po ndihem më e fortë, kështu që e di se ku është fokusi im. Edhe nëse humb ndonjëherë, nuk stresohem për këtë. Po mësoj nga secila garë, nga gabimet që i bëj. Edhe kur fitoj, si sot, e di që kam bërë gabime në fillim dhe do të shkoj në shtëpi për të përmirësuar këtë dhe për të ndërtuar prej kësaj. Vërtet kënaqem me atë që e bëj. Lojërat Mesdhetare mendoj se janë ngjarjet e ardhshme për mua, qartë se po shikoj para drejt Kampionatit Botëror. Po ushtrojmë shumë fort për Botëror”, ka theksuar Krasniqi.

Trajneri Driton Kuka nuk ishte me Distrinë në Tbilisi. Atë e ka shoqëruar asistenti Fatos Tabaku. Kuka megjithatë ka vlerësuar xhudon që e bëri kampionia olimpike. Të rëndësishme vlerësohen edhe 1000 pikët që Distria i fitoi në ranglistën botërore. Distria aktualisht është e 13-a në ranglistë, ndërsa pritet të përparojë për disa pozita në ranglistën e re. Ngritja në Top-3 të ranglistës vlerësohet e rëndësishme.

“Distria është duke ecur mirë. Disa gjëra janë duke u ndërruar. Është kategori tjetër, xhudo tjetër. Duhet pak kohë, por Distria e ka përkushtimin që duhet ta ketë. Distria ka potencial për medalje olimpike edhe në kategorinë deri 52 kg”, ka theksuar Kuka për KOHËN.